
Një nga biznesmenët më të fuqishëm të industrisë së karburanteve në Kosovë përfundoi në prangat e Policisë të mërkurën, pasi autoritetet shtetërore goditën një grup të dyshuar për shpëlarje parash, kontrabandë dhe krim të organizuar.
I arrestuari është Dashnim Miftari, pronar i kompanisë Veda-2-Petroll Sh.P.K., për të cilin burime të mirëinformuara brenda organeve të hetuesisë i thanë Paparacit se dyshohet të ketë qenë një nga drejtuesit e grupit kriminal të goditur gjatë operacionit, transmeton Spektatori.
Sipas të njëjtave burime, grupi përbëhej nga së paku nëntë individë, të cilët dyshohen për përfshirje në një skemë të organizuar kriminale me naftën.
Hetimet e Prokurorisë Speciale dyshojnë se grupi përdorte dokumente fiktive tatimore dhe realizonte shitje fiktive të derivateve të naftës, përmes një skeme që, sipas hetuesve, synonte mashtrimin tatimor dhe fshehjen e aktivitetit të paligjshëm.
Operacioni u zhvillua në 21 lokacione në territorin e Kosovës, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës të mërkurën. Bastisjet rezultuan me arrestimin e nëntë individëve.
Mes të arrestuarve, emri më i njohur është ai i Dashnim Miftarit, pronarit të biznesit Veda-2-Petroll Sh.P.K., një prej rrjeteve më të mëdha të shitjes së karburantit për automjete në vend.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), rrjeti Veda-2-Petroll Sh.P.K., në pronësi të Miftarit, zotëron rreth 50 njësi me pika të karburanteve dhe markete në të gjithë territorin e Kosovës.
Në pranga kanë rënë edhe tregtarë të tjerë të naftës.Tre anëtarë të familjes Mazrek nga Mamusha – Faruk, Muhamet dhe Fariz Mazrek – të ndaluar në aksionin e së mërkurës, udhëheqin një biznes të karburantit të naftës në këtë komunë me shumicë turke.
Në operacion u arrestuan edhe Fatmir Visoka, pronar i Extra Petrol, një pike të derivateve në Hoçë të Madhe, si dhe familjari i tij, Korab Visoka.
Po ashtu, në mesin e të arrestuarve janë Gazmend Quni, Skender Kelmendi, Naser Morina, Adem Morina dhe Nysret Bajraktari.
Prokuroria Speciale tha se gjatë operacionit u sekuestruan 15 mijë euro para të gatshme, pesë vetura, pesë autobotë për transport të derivateve të naftës, dy armë zjarri, 54 fishekë dhe prova të tjera materiale.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu 301 euro në kartëmonedha prej dy eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale.
Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi./Spektatori.com
Pamje nga aksioni kundër grupit të dyshuar kriminal, nëntë të arrestuar



