
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit të vendit pa një marrëveshje politike.
Në një intervistë për Tëvë1, Jashari tha se vota për president nuk mund të jetë një veprim i shkëputur, por duhet të jetë pjesë e një dakordimi më të gjerë politik.
“Pa marrëveshje, PDK-ja nuk ka votë për president. Kjo është krejtësisht demokratike. Kam dëgjuar që një pjesë e shoqërisë mendon se ne duam vetëm pushtet, por ne kemi hyrë në garë politike për të shërbyer dhe për të pasur një rol në vendimmarrje, sepse për këtë na kanë votuar qytetarët”, tha Jashari.
Ajo theksoi se PDK-ja, sipas saj, ka dhënë kontribut në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe se skena politike ka nevojë për reflektim pas proceseve të fundit.
“Është shumë e nevojshme që të reflektohet, sepse kemi dështuar në shumë faza dhe në shumë çështje. Besoj se duhet të pranohet edhe kontributi që PDK-ja ka dhënë në ndërtimin e bazave të një shteti funksional”, u shpreh ajo.
Duke folur për qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Jashari tha se, sipas saj, shumë prej premtimeve të bëra nuk janë realizuar.
“Unë mendoj se nuk kanë bërë diçka shumë të rëndësishme nga ato që kanë premtuar. Fokusi kryesor ka qenë pjesa veriore e vendit, duke e lënë pas dore pjesën tjetër të qytetarëve”, deklaroi ajo.
Jashari vlerësoi se veprimet e institucioneve në veri mund të konsiderohen si një arritje, por kritikoi mënyrën se si, sipas saj, është menaxhuar qeverisja në fusha të tjera.
“Vendosja e një baraspeshe mes luftës çlirimtare dhe zhvillimeve në veri është e rëndësishme, por kjo nuk do të thotë që shumica e qytetarëve të mbetet jashtë vëmendjes. Nuk mund të funksionosh vetëm në një drejtim dhe të harrosh qytetarin që ka nevojë për zgjidhje të përditshme”, tha ajo.
Deklaratat e Jasharit vijnë në kohën kur partitë politike në Kosovë po diskutojnë për formimin e institucioneve dhe për çështjet që kërkojnë shumicë të gjerë parlamentare, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.



