
Autoritetet e Kosovës arrestuan nëntë persona të mërkurën në një operacion kundër krimit të organizuar, nën dyshimet për shpëlarje parash, kontrabandë mallrash, evazion fiskal dhe organizim të grupit kriminal, njoftuan në një komunikatë të përbashkët Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Operacioni, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, u zhvillua me asistimin e Doganës dhe ATK-së.
Sipas autoriteteve, bazuar në urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u kryen kontrolle në 21 lokacione.
“Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit është gjetur dhe sekuestruar 15 mijë euro, pesë vetura, pesë autobotë për transport të derivateve, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për rastin, si dhe 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Autoritetet thanë se në operacion morën pjesë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Doganës dhe Administratës Tatimore.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q. Ata dyshohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi.
“Sipas hetimeve të përbashkëta, pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme lidhur me tatimet dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës”, thanë autoritetet në komunikatë.



