Gjykata Speciale ia vazhdon masën e paraburgimit Rexhep Selimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, i cili po gjykohet për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në vendimin e publikuar më 28 korrik 2026, Paneli i Gjykatës ka bërë të ditur se rishikimi i ardhshëm i masës së paraburgimit është caktuar në parim për 28 shtator 2026, përveç nëse deri atëherë publikohet aktgjykimi në këtë çështje.

Gjykata ka vlerësuar se, duke marrë parasysh se shpallja e aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator 2026, nuk është e nevojshme që palëve t’u kërkohen parashtresa shtesë lidhur me vazhdimin e paraburgimit në këtë fazë të procedurës.

Në pjesën përfundimtare të vendimit, Paneli ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit dhe ka kërkuar nga mbrojtja e tij që deri më 21 gusht 2026 të dorëzojë një version publik të njoftimit për rishikimin e paraburgimit ose të kërkojë riklasifikimin e dokumentit.

Ky është një tjetër vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit. Në vendimet e mëparshme, Gjykata ka vlerësuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe për pengimin e procedurave gjyqësore, përfshirë mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët.

Vendimi i Speciales (28.07.2026)
Vendimi i Speciales (28.07.2026)

Selimi po gjykohet në Hagë së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat të gjithë i kanë mohuar. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Aktgjykimi në këtë rast pritet të shpallet më 16 shtator 2026.

Lexo edhe:

Back to top button