Pacolli akuzon Llukën për mbi 3 milionë euro pagesa të dyshimta

Ish-presidenti dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka ngritur akuza të reja ndaj Valon Llukës, ish-drejtor i Mabetex Holding dhe ish-administrator i VIA-s, duke pretenduar se ai është përfshirë në disa raste të dyshuara për abuzim dhe keqpërdorim të detyrës, raporton Spektatori.


Në një status të publikuar në Facebook, Pacolli thotë se ndaj Llukës janë paraqitur kallëzime në Prokurorinë në Prishtinë lidhur me raste që përfshijnë kompaninë Presteel dhe Fabrikën e Kërpudhave në Mitrovicë.

Sipas Pacollit, dokumentacioni që ai e cilëson të verifikuar tregon se Lluka kishte urdhëruar vartësit e tij, në një kompani të grupit që administronte, të kryenin një pagesë prej më shumë se 1.5 milionë eurosh, pa dëshmi se shërbimet për të cilat ishte bërë pagesa ishin kryer dhe pranuar, siç kërkohej nga kontrata.

Pacolli pretendon se një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2025, kur nga kompani të Grupit Mabetex ishin paguar rreth 1.6 milionë euro një kompanie të quajtur Alhami në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas tij, nuk ishin kryer.

Ai thotë se një gjykatë në Abu Dhabi, pas verifikimit të rastit, në fillim të gushtit 2026 ka nxjerrë aktvendim që urdhëron kthimin e mjeteve në favor të Grupit Mabetex.

“Gjykata në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara, mbasi verifikoi se Valon Lluka kishte bërë pagesa me fatura fiktive, në fillim të gushtit 2026 shpalli aktvendimin dënues duke urdhëruar kthimin e këtyre mjeteve në favor të Grupit Mabetex”, ka shkruar Pacolli.

Në postimin e tij, Pacolli përmend edhe pagesa që, sipas tij, nga Mombasa e Kenias janë transferuar në llogari të Llukës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Riga, duke pretenduar se këto mjete lidhen me përfitime që janë objekt hetimi.

Ai gjithashtu pretendon se në Emirate po hetohet likuidimi i Mabetex Emirate, të cilin e përshkruan si të kryer pa autorizim dhe në dëm të Grupit Mabetex.

Sipas tij, hetimet përfshijnë edhe përdorimin e referencave të kompanisë në favor të një kompanie që Lluka e kishte krijuar gjatë kohës sa ishte i punësuar në Mabetex.

Pacolli thotë se ndaj Llukës po zhvillohet edhe një proces tjetër penal në Emirate lidhur me pretendime të tjera për mashtrim.

Duke iu referuar një tjetër çështjeje, Pacolli ka përmendur edhe pretendimet për mashtrime rreth Aeroportit të Vlorës, duke shprehur shpresën që ato të trajtohen nga gjykatat në Tiranë “pa anshmëri”.

Në fund të deklarimit, ai kërkon që institucionet e drejtësisë në Kosovë t’i hetojnë rastet deri në fund dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore.

“Në Kosovë poashtu shpresoj të tregojë drejtësia, ashtu si në Emiratet e Bashkuara, dhe t’i hetojnë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, ka shkruar Pacolli.

Lexo edhe:

Back to top button