“Mrekullueshëm ia kemi dalë” – Thaçi nga liria e Kosovës te Haga: “Dua të jetoj i lirë në botën e lirë”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se, po t’i jepej mundësia ta kthente kohën pas, nuk do të ndryshonte në mënyrë thelbësore veprimet e tij gjatë rezistencës, shpalljes së pavarësisë dhe përpjekjeve për sigurimin e njohjeve ndërkombëtare.

Në një intervistë për Debat Plus, Thaçi ka folur për të kaluarën e tij politike, zhvillimet në veri të Kosovës në vitin 2011, procesin gjyqësor në Hagë, familjen dhe të ardhmen e tij, raporton Spektatori.

“Për kohën e rezistencës për çlirim, shpalljen e pavarësisë apo njohjet nga bota perëndimore, nuk do të ndryshoja diçka substanciale. Por, gjithmonë ka gjëra, të cilat mund të bëhen mirë e më mirë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka vlerësuar se Kosova, pavarësisht vështirësive, arriti lirinë dhe pavarësinë në një periudhë relativisht të shkurtër.

“Por, kurrë nuk duhet të harrojmë se populli i Kosovës fitoi lirinë dhe pavarësinë më shpejt dhe më mirë sesa shumë popuj tjerë nëpër botë. Qysh i kemi pasur punët si vend dhe popull, mrekullueshëm ia kemi dalë. Sikur të gjithë yjet ishin bashkuar në anën e kauzës kosovare”, ka thënë ai.

Përplasja me Serbinë në Veri

Thaçi ka rrëfyer edhe një episod të korrikut të vitit 2011, kur Kosova mori nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, duke dërguar policë dhe doganierë kosovarë me helikopterë të NATO-s.

Sipas tij, veprimi befasoi Beogradin dhe shkaktoi reagim të ashpër të atëhershëm të presidentit serb, Boris Tadiq.

“Pas marrjes në kontroll nga policia e Kosovës të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri… strukturat paralele serbe dhe Serbia u befasuan, reagimi ishte frustrues. Po ndodhte diçka që Serbia nuk e kishte menduar se do të përjetonte”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka treguar se, tri ditë pas ngjarjes, një delegacion diplomatik nga një shtet mik i Kosovës e kishte paralajmëruar për kërcënimin e Beogradit.

“Po vijmë nga Beogradi, kemi pasur një bisedë jo të lehtë me Presidentin Tadiq; është i revoltuar dhe i vendosur që nëse nuk i largoni policët e doganierët dhe flamurin shtetëror kosovar nga pika 1 dhe 31, ai do t’i largojë me forcë”, ka rrëfyer Thaçi.

Përgjigjja e tij, sipas ish-presidentit, ishte e drejtpërdrejtë.

“Unë kam bërë punën time. Çdo provokimi serb do t’i përgjigjem”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se pas kësaj kërcënimet e Beogradit pushuan.

“Synimi serbo-rus është të diskreditohet projekti i Kosovës”

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Thaçi ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë se synojnë delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës.

Ai ka lidhur këtë përpjekje me zhvillimet pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës dhe me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Liria dhe ndërtimi i pavarësisë së Kosovës ishte e pakapërdishme për Serbinë dhe Rusinë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata iu drejtuan Këshillit të Evropës. Synimi serbo-rus është i qartë: të diskreditohet projekti i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka kritikuar gjithashtu Prokurorinë e Specializuar, duke pretenduar se ajo po u jep peshë dëshmive që ai i konsideron të fabrikuara gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit, ndërsa po anashkalon dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë.

“Prokuroria po lartëson dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Millosheviqit; në anën tjetër mohon dëshmitë dhe argumentet e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, NATO-s, Britanisë së Madhe, OKB-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Zyrtarët ndërkombëtarë ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë në proces janë tregues se ata kanë ndier përgjegjësi për të treguar atë që kanë parë gjatë luftës.

“Ata erdhën me lejen e qeverive të tyre. Nuk është e lehtë që këto personalitete të spikatura të ulen në një sallë të tillë gjyqi. Erdhën vullnetarisht dhe e deklaruan vetë arsyen e tyre për të dëshmuar. Kuptova se ata po e shihnin se diçka e gabuar po ndodhte në këtë proces. Po ndienin obligim moral të thoshin të vërtetën”, ka deklaruar Thaçi.

“Dua të jetoj i lirë në botën e lirë”

Ish-presidenti ka folur edhe për jetën e tij personale gjatë qëndrimit në Hagë, duke e cilësuar atë një sakrificë edhe për familjen e tij.

“Është sakrificë jo e lehtë edhe për ta. Por kalon edhe kjo. Lumja dhe Endriti, tash e gjashtë vite nuk e kanë humbur asnjë vizitë të planifikuar. E njëjta është edhe me rrethin më të gjerë familjar”, ka thënë ai.

Thaçi ka treguar se prindërit e kanë vizituar më herët, por gjendja shëndetësore e nënës së tij tashmë ia ka pamundësuar udhëtimin.

Ai ka folur edhe për pamundësinë për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

“Sikur nuk ia kisha mbajtur fjalën, sikur e kisha braktisur”, është shprehur Thaçi për atë moment.

I pyetur për të ardhmen e tij politike, ai nuk ka përmendur ndonjë subjekt apo funksion konkret.

“Jetën dhe shpirtin tim nuk do ta fus në korniza të ngushta ideologjike, partiake, gjeografike apo administrative”, ka deklaruar ai.

Në fund, kur u pyet se për çfarë i ka marrë malli më së shumti gjatë qëndrimit në Hagë, Thaçi dha një përgjigje të shkurtër:

“Të jetoj i lirë në botën e lirë.”/Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button