
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rrëfyer një tjetër episod nga udhëtimi i tij drejt Parisit në mars të vitit 1999, kur po shkonte për të marrë pjesë në negociatat për Marrëveshjen e Rambujesë.
Në intervistën për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi ka treguar se vendosi të udhëtonte nga Kosova drejt aeroportit përmes territorit të kontrolluar nga forcat serbe, duke e informuar paraprakisht ekipin amerikan që vepronte në Kosovë.
Sipas tij, për udhëtimin kishte vendosur një kusht të vetëm: të lejohej të mbante me vete mjetet e tij të vetëmbrojtjes, shkruan Spektatori.
“Për vendimin tim, shpejt e informova ekipin amerikan që vepronte në Kosovë. Por me një kusht: gjatë rrugës do të jem i pajisur me teknikën time vetëmbrojtëse, amerikanëve kjo çështje nuk u prishi fare punë”, ka rrëfyer Thaçi.
Ai ka thënë se amerikanët i kishin kërkuar vetëm të udhëtonte me rroba civile.
“Edhe ashtu isha veshur në xhinse dhe me xhaketë”, ka thënë ai.
Duke folur për raportin e tij me luftën, uniformën dhe armët, Thaçi ka thënë se nuk kishte qenë ithtar i tyre, por se rrethanat e luftës e kishin detyruar atë dhe pjesë të shoqërisë kosovare të merrnin rol në rezistencën e armatosur.
“Personalisht kurrë nuk kam qenë ithtar i uniformës ushtarake; armën e kam urryer gjithmonë, por çka të bëjmë, Serbinë e kishim mbi kokë. U bëmë luftëtarë, segmentet e gjithë shoqërisë kosovare, me ose pa”, është shprehur Thaçi.
Rrëfimi i tij për këtë udhëtim vjen në kuadër të intervistës së gjerë për Rambujenë, ku ai ka folur edhe për kalimin përmes pikave të kontrolluara nga forcat serbe, emblemën e UÇK-së që tha se e mbante “ngjitur me zemrën” dhe mbërritjen në Paris për negociatat që do të përcaktonin një nga kthesat kryesore të luftës në Kosovë.



