Thaçi me mesazh nga Haga: Pozitë e opozitë të ulen në një tryezë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike mes pozitës dhe opozitës, duke propozuar një tryezë të përbashkët për çështjet që i konsideron strategjike për vendin, raporton Spektatori.

Në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, dhënë për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi ka thënë se partitë politike duhet të lënë mënjanë ndasitë dhe të dakordohen për një agjendë të përbashkët shtetërore.

“Politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta”, ka deklaruar Thaçi.

Në mesin e çështjeve që, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje politike janë siguria nacionale, reformat demokratike dhe elektorale, politika e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

Thaçi ka propozuar gjithashtu që të shqyrtohet mundësia e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, duke e parë këtë si një mekanizëm për shmangien e krizave institucionale.

“Reforma elektorale, zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale, politika e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare, investimet në mbrojtje, integrimi në NATO dhe BE, raportet speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogu me Serbinë”, ka thënë ai.

Thirrja e Thaçit vjen në një periudhë kur Kosova vazhdon të përballet me vështirësi në funksionalizimin e institucioneve dhe me një klimë të zgjatur politike pa konsensus ndërmjet partive.

Intervista është realizuar me shkrim. Pyetjet për situatën politike në Kosovë i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik.

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pritet të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lexo edhe:

Back to top button