
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rrëfyer disa nga momentet më të tensionuara të Konferencës së Rambujesë në vitin 1999, takimet me Ibrahim Rugovën, kthimin e tij nga Shqipëria në Kosovë gjatë luftës dhe udhëtimin e rrezikshëm drejt aeroportit të Sllatinës, para nisjes për në Paris, raporton Spektatori.
Në intervistën për Debat Plus me Ermal Pandurin, të cilën e ka dhënë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, Thaçi e ka përshkruar Rambujenë si një pikë kthese për Kosovën dhe një periudhë kur, sipas tij, çdo vendim mbartte rrezik personal e politik.
“Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim”
Thaçi ka thënë se në fillim të Rambujesë disa prej kërkesave kryesore të delegacionit kosovar, përfshirë referendumin për të ardhmen e Kosovës dhe transformimin e UÇK-së, dukeshin të paarritshme.
Sipas tij, vetëm pak orë para përfundimit të konferencës u sigurua zotimi amerikan se, pas tri vitesh, populli i Kosovës do të mund të shprehte vullnetin për të ardhmen e vendit.
“Deri pak orë para përfundimit të pjesës së konferencës në Rambuje, ishte iluzion se diçka e tillë mund të realizohej”, ka thënë Thaçi.
Ai ka vlerësuar se kombinimi i referendumit, dislokimit të NATO-s dhe transformimit të UÇK-së krijoi bazën për zhvillimet që pasuan.
“Referendumi për popullin e Kosovës siguronte pavarësinë pas tri vitesh. Dislokimi i NATO-s nënkuptonte se siguria dhe mbrojtja po kalonin nën autoritetin ndërkombëtar. Transformimi i UÇK-së krijonte mundësinë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka thënë se Serbia e kishte kuptuar se marrëveshja po e orientonte Kosovën drejt pavarësisë dhe për këtë arsye e kishte refuzuar.
Vendimin për pranimin e marrëveshjes ai e ka cilësuar ndër më të vështirët dhe më krenarët e jetës së tij.
“Vendimi për pranimin e marrëveshjes në Rambuje ishte prej më të rëndëve, por edhe më krenari në jetën time. Pothuajse i pamundshëm, por i domosdoshëm. Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim, apo të dyja së bashku”, ka thënë Thaçi.
Tri takime me Rugovën në Rambuje
Gjatë konferencës, Thaçi ka treguar se ishte takuar tri herë me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sipas tij, takimet zhvilloheshin në mbrëmje, në dhomën e Rugovës, ndërsa pjesëtarët e tjerë të delegacionit ishin duke darkuar.
“Me Rugovën, me ftesën e tij, kisha zhvilluar tri takime, në Kështjellën e Rambujesë; më ftonte në dhomën e tij në mbrëmje, kur të tjerët po darkonin… Më tha: ‘Po më duhet me pasë pak kujdes prej këtyre të mive, po flasin kapak si tepër nëpër korridore, syri dhe shpirti i keq është çdo kund, po ti grahi me kërkesat tuaja, unë jam gati’”, ka rrëfyer Thaçi.
40 orë në këmbë nga Shqipëria në Kosovë
Pas Rambujesë, Thaçi ka treguar se u kthye në Kosovë përmes terrenit malor, duke kaluar rreth 40 orë në këmbë nga Shqipëria drejt Kosovës.
Në atë kohë, sipas tij, Serbia kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj tij dhe kishte ofruar shpërblim për kapjen e tij.
“Serbia ato ditë kishte lëshuar publikisht urdhër-arrestin-poternicën e radhës, të bashkëngjitur me një fotografi time nga koha e gjimnazit; më kërkonte të gjallë apo të vdekur”, ka rrëfyer ai.
Thaçi ka treguar se gjatë kësaj periudhe ishte kërkuar edhe nga senatori amerikan Robert Dole, i cili, sipas tij, kishte ardhur me një mision të presidentit Bill Clinton dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.
Por Thaçi tha se në atë kohë ndodhej në bjeshkët e Sharrit dhe nuk kishte mundësi të udhëtonte drejt Shkupit.
“Po shkoja drejt e në gojë të ujkut”
Një tjetër episod që Thaçi e ka veçuar është udhëtimi nga Drenica drejt aeroportit të Sllatinës, nën shoqërimin e misioneve amerikane dhe franceze.
Ai ka treguar se gjatë rrugës duhej të kalonte nëpër pika të kontrolluara nga forcat serbe.
Para nisjes, sipas tij, kishte marrë me vete emblemën e UÇK-së.
“Mora me vete emblemën e UÇK-së. E futa në xhepin e këmishës, ngjitur me zemrën”, ka thënë Thaçi.
Sa më shumë që afrohej drejt pikave të kontrollit, aq më i madh bëhej tensioni.
“Sa më shumë i afroheshim forcave serbe, aq më shumë rritej tensioni në botën time të brendshme. Përpiqesha të ruaja qetësinë. Për shumë vite më kërkonin, edhe unë i kisha kërkuar në formën time. Po shkoja drejt e në gojë të ujkut”, ka rrëfyer ai.
Sipas Thaçit, në Komoran dhe në pika të tjera, forcat serbe hapën rrugën për eskortën ndërkombëtare.
Në afërsi të aeroportit të Sllatinës, ai tha se pa trupa serbe të pozicionuara nëpër oborre të shtëpive shqiptare.
“Me t’u afruar tek kthesa në Sllatinë, në drejtim të aeroportit, vërejta trupa serbe në oborret e shtëpive shqiptare; kishin ndezur zjarre, po ngroheshin, me gota rakie në dorë… ishin në gjendje gatishmërie luftarake”, ka treguar ai.
Në aeroport, Thaçi tha se një prej zyrtarëve të UÇK-së që udhëtonte me të i kishte identifikuar disa persona civilë si pjesëtarë të UDB-së, duke pretenduar se dy prej tyre e kishin arrestuar dhe keqtrajtuar më herët.
“‘I shikon ata? Janë punëtorë të UDB-së, janë ata që më kanë arrestuar dhe keqtrajtuar në fillim të viteve të tetëdhjeta’. Ia ktheva: ‘Kësaj radhe nuk do të ketë arrestim. Nëse na mësyjnë, o ne o ata’”, ka rrëfyer Thaçi.
Nga aeroporti drejt Parisit
Pas mbërritjes në aeroplanin ushtarak francez, Thaçi dhe pjesa tjetër e delegacionit u nisën drejt Parisit.
“Shpejt futemi në aeroplan, u përshëndetëm me anëtarët e delegacionit që kishin ardhur nga Prishtina; ishin në pritje të pjesës së delegacionit që po zbrisnim nga bjeshkët e Kosovës me emblemën e UÇK-së si dokument udhëtimi, pa nevojë për pasaportë apo viza”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, atmosfera në aeroplan ishte dukshëm më e qetë. Delegacioni po përgatitej për vazhdimin e procesit dhe nënshkrimin e marrëveshjes.
“Marrëveshja do të nënshkruhej. Merrnim frymë më lirshëm”, ka thënë Thaçi.
Ai e ka përshkruar pranimin e marrëveshjes së Rambujesë si një moment që, sipas tij, hapi rrugën për zhvillimet që pasuan.
“PO-ja shqiptare në Rambuje tregoi përgjegjësi kombëtare dhe emancipim perëndimor. Perëndimi mbajti fjalën. Filluan bombardimet e NATO-s, UÇK-ja vazhdoi rezistencën. NATO-ja hyri. Serbia u dëbua. Kosova u çlirua. Refugjatët u kthyen. Në Kosovë filloi jeta e re”, ka deklaruar Thaçi.
Ai e ka cilësuar Rambujenë si një “fitore të dinjitetshme”.



