
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pret të lirohet nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor në Hagë, duke rrëfyer në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit për qëndrimet e tij politike, zhvillimet në veri, trazirat e vitit 2004 dhe raportet me Serbinë.
Në intervistën për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi ka shmangur komentet për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë, raporton Spektatori.
I pyetur nëse do ta priste Kurtin nëse ai do të shprehte vullnet për ta vizituar në Hagë, Thaçi është përgjigjur:
“Nuk deklarohem për situata hipotetike.”
Ndërsa për faktin që Kurti nuk ka vizituar asnjërin prej katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Thaçi ka thënë:
“Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve.”
Ai nuk ka dashur të komentojë as qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara.
“Nuk kam koment”, ka thënë Thaçi.
“Pres lirimin nga çdo akuzë”
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator.
Thaçi ka deklaruar se pret një rezultat të qartë nga procesi.
“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çka t’u shtoj argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit”, ka thënë ai.
I pyetur nëse është penduar për iniciativën për themelimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Thaçi ka thënë se nuk është penduar, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është përdorur vullneti i institucioneve të Kosovës.
“Jo. Por nuk do të besoja se vullneti i të zgjedhurve të popullit të Kosovës do të keqpërdorej kaq brutalisht”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka kritikuar edhe narrativën mbi të cilën, sipas tij, Prokuroria e Specializuar ka ndërtuar pretendimet ndaj tij.
“Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta (atë kohë isha 11-12 vjeç) të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serbë dhe rusë në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.
Duke folur për pasojat e mundshme të procesit, Thaçi ka thënë se ndikimi i tij mund të shkojë përtej rastit personal.
“Inkriminim për ndërkombëtarët nuk do të ketë. Por a do të ketë ndikim në ecurinë e drejtësisë ndërkombëtare? Sigurisht që do të ketë, dhe atë jo pak”, ka potencuar Thaçi.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin e ZPS-së se kthimi i tij nga diaspora kishte ndikuar në rritjen e UÇK-së.
“Bëra atë që shumë të rinj shqiptarë nga diaspora bënë në javët dhe muajt e rezistencës. Unë nuk e solla rezistencën në valixhe nga Perëndimi në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Marsi i vitit 2004 dhe kërcënimi i Beogradit
Në intervistë, Thaçi ka rrëfyer edhe zhvillimet e marsit 2004, kur trazirat ndëretnike përfshinë pjesë të ndryshme të Kosovës.
Në atë kohë, ai ndodhej në Shtetet e Bashkuara dhe tha se u kthye në Kosovë me aeroplanin e parë, përmes Vjenës, duke shkuar më pas në Veternik, ku ishte mbledhur një numër i madh protestuesish.
“Ju bashkëngjita mesazheve për qetësi dhe kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre”, ka treguar ai.
Thaçi e ka cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda për Kosovën pas luftës.
“KFOR-i pothuajse ishte dorëzuar përballë protestuesve… UNMIK-u ishte defunksionalizuar. Atë që Beogradi mundohej të na e atribuonte për shumë vite, tani po vetëidentifikoheshim. Asgjë më e keqe nuk mund t’i ndodhte Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas rrëfimit të Thaçit, gjatë një takimi të liderëve vendorë me drejtuesit e UNMIK-ut, KFOR-it dhe ambasadorë të vendeve perëndimore, u dha edhe paralajmërimi për mobilizimin e ushtrisë serbe.
“Informacionet tona po tregojnë se Ushtria serbe është mobilizuar dhe ka filluar të lëvizë në drejtim të Kosovës”, ka qenë mesazhi që, sipas Thaçit, u dha nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se Beogradi u ndal pas paralajmërimit të komunitetit ndërkombëtar:
“‘Nëse i afroheni Kosovës, do të jeni në konflikt me NATO-n’ – kaq mjaftoi që Beogradi të kthehet mbrapsht”, ka rrëfyer Thaçi.
Në intervistë, ai ka përmendur edhe vizitën e Javier Solanës në Prishtinë dhe rolin e diplomatit amerikan Marc Grossman në zhvillimet e mëvonshme.
“Nuk dua të merrem me sjelljet e të tjerëve”
Thaçi ka folur edhe për praninë e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në sallën e gjyqit.
“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, ka thënë ai.
Pavarësisht pyetjeve për Kurtin dhe institucionet e Kosovës, Thaçi ka zgjedhur të mos hyjë në përplasje politike.
“Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve”, ka përsëritur ai.



