Lushtaku në Kalludër: Pas 26 vitesh pritje, familjet kërkojnë të vërtetën për 23 të zhdukurit

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vizituar fshatin Kalludër të Vogël në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime për mbetjet mortore që dyshohet se mund t’u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku tha se familjet e të zhdukurve kanë jetuar për më shumë se dy dekada me dhimbjen e pritjes, ndërsa kërkoi zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe përgjegjësi për autorët e krimeve.

“E mërkura e 19 majit 1999 ishte dita e fundit kur u panë të gjallë. Që nga ajo ditë, familjet e tyre dhe shoqëria jonë jetojnë me dhembjen e pritjes, ndërsa Kosova mban ende një nga plagët më të mëdha të luftës”, shkroi Lushtaku.

Ai publikoi emrat e personave për të cilët dyshohet se mund të jenë në vendin ku po kryhen gërmimet, mes tyre intelektualë, profesionistë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar.

“Sot vizituam vendin ku dyshohet se gjenden mbetjet mortore të patriotit Idriz Rreci, doktorit Fatmir Fazlija, profesorit Demir Ahmeti, Shaqir, Samir, Xhemail, Salih, Naser, Zymer, Tahir, Selim, Bekim dhe Xhevdet Mëziut, Sahit Beranit, Ali Halitit, Adem Ademit, Adem Beqirit, Hasan Dërvarit, Shaip, Mahir, Faton, Shkëlzen dhe Nazim Ujkanit”, shkroi ai.

Sipas Lushtakut, grupi i të zhdukurve përfaqësonte një pjesë të rëndësishme të jetës intelektuale dhe shoqërore të Mitrovicës.

“Ky grup ishte zëri i dijes dhe i atdhedashurisë. Sot kërkojmë të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësi për autorët e këtij krimi”, deklaroi ai.

Kryetari i Skenderajt shprehu shpresën se procesi i gërmimeve do t’u japë fund viteve të pasigurisë për familjet dhe do t’u mundësojë atyre që të varrosin të afërmit me dinjitet.

“Me shpresën që ky vend do t’u japë fund viteve të gjata të pritjes dhe se më në fund ata do të kthehen pranë familjeve të tyre, për t’u prehur me dinjitet në tokën e vendlindjes për të cilën dhanë aq shumë”, shkroi Lushtaku.

Gërmimet në Kalludër të Vogël po zhvillohen nga institucionet e Kosovës, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Lexo edhe:

Back to top button