
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vizitoi të mërkurën fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime për mbetjet mortore që dyshohet se mund t’u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Gërvalla tha se procesi po zhvillohet nga ekipet profesionale dhe kërkoi që të shmangen deklaratat e pakonfirmuara deri në përfundimin e punës së ekspertëve.
“Gjithçka këtu po bëhet në mënyrë profesionale. Të gjitha njësitë e përfshira janë duke e kryer punën e tyre dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta dhe konkrete, në mënyrë që familjarët e atyre që mund të jenë këtu të marrin përgjigje dhe, në fund, të mund t’i varrosin të dashurit e tyre”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se identifikimi i mbetjeve mortore kërkon kohë dhe se përfundimet duhet të bazohen vetëm në rezultatet e institucioneve kompetente.
“Ky nuk është momenti për spekulime, as për fjalë të mëdha dhe zhurmë. Duhet t’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre dhe më pas të shohim se kush ndodhet aty, nëse ka më shumë apo më pak mbetje dhe si do të vazhdojë procesi”, deklaroi ministrja në detyrë.
Gërvalla e cilësoi si zhvillim pozitiv faktin që gërmimet kanë sjellë rezultate, duke thënë se puna për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur po vazhdon.
“Është lajm i mirë që është gërmuar dhe që gërmimi ka sjellë rezultate. Është lajm i mirë që çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj kemi institucione të përkushtuara për gjetjen e varrezave masive dhe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, tha ajo.
Ministrja në detyrë kërkoi gjithashtu rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
“Duhet të vazhdojë presioni ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, për dorëzimin e informacionit për të pagjeturit dhe mbi të gjitha për të siguruar që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë në vendin tonë”, përfundoi Gërvalla.



