Nga “vrasës” te padia: Përparim Rama dhe Alban Krasniqi përplasen ashpër pas tragjedisë në kantier

Një përplasje e ashpër politike ka shpërthyer mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe anëtarit të LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në kryeqytet, ku një punëtor humbi jetën të martën, raporton Spektatori.

Debati nisi pas një postimi të Ramës në Facebook, ku ai publikoi pamje nga punimet në rrugën “A”, me mbishkrimin: “Mirëmëngjesi nga rruga ‘A’. Shtresa e dytë e asfaltimit!”

Në mesin e komenteve, Krasniqi, i cili është edhe bashkëshorti i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, reagoi me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të Prishtinës.

“Jo mirëmëngjesi, por alo prokuroria, o vrasës”, shkroi Krasniqi.

Komenti i Krasniqit në postimin e Ramës në Facebook (29.07.2026)
Komenti i Krasniqit në postimin e Ramës në Facebook (29.07.2026)

Ky koment nxiti reagimin e Ramës, i cili e cilësoi gjuhën e përdorur ndaj tij si “gjuhë urrejtjeje dhe linçimi”, duke thënë se përgjegjësitë për sigurinë teknike në kantieret e ndërtimit nuk janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

“Gjuha e urrejtjes nuk e ndryshon ligjin”, shkroi Rama, duke argumentuar se kontrolli i vinçave, dokumentacionit teknik, pajisjeve dhe masave të sigurisë në punë është përgjegjësi e Inspektoratit Qendror të Punës.

Sipas tij, Inspektorati i Kryeqytetit ka kompetenca vetëm për zbatimin e kushteve të lejeve të ndërtimit dhe përputhshmërinë e punimeve me projektet e miratuara.

“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon, përveç dashakeqësisë, edhe mungesë njohurie”, deklaroi Rama.

Ai paralajmëroi padi ndaj Krasniqit dhe të gjithë atyre që, sipas tij, kanë bërë akuza të pavërteta ndaj tij.

“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, shkroi Rama.

Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës e ktheu sulmin në drejtim të Vetëvendosjes, duke akuzuar këtë subjekt politik për linçim dhe presion ndaj kundërshtarëve.

Ndërkohë, Krasniqi nuk u tërhoq nga akuzat. Ai tha se përgjegjësia politike dhe institucionale bie mbi Ramën për çdo rast kur, sipas tij, rrezikohet siguria e qytetarëve dhe punëtorëve.

“Çdo neglizhencë, mosveprim apo veprim që cenon qytetarët, punëtorët dhe sigurinë e tyre, me gjithë paralajmërimet e bëra dhe rastet e përsëritura, e bën përgjegjës kryesor Përparim Ramën”, shkroi Krasniqi.

Ai vazhdoi me akuza ndaj kryetarit të Prishtinës për mënyrën e qeverisjes së kryeqytetit dhe paralajmëroi përballje të tij me drejtësinë.

“Nëse jo dje dhe sot, nesër do të përgjigjesh para një drejtësie që ka guximin me luftu krimin e me të vendosë para përgjegjësisë”, shkroi Krasniqi.

Një koment i vetëm në Facebook hapi një përplasje të ashpër mes dy figurave publike. Nga akuza “vrasës” deri te paralajmërimet për padi, debati tashmë është zhvendosur nga rrjetet sociale në një përballje politike për përgjegjësinë pas aksidentit në kantier.

Lexo edhe:

Back to top button