
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të martën se dyshimi fillestar i institucioneve është se mbetjet mortore të gjetura në fshatin Kalludër të Zubin Potokut mund t’i përkasin grupit prej 23 intelektualësh nga Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë më 19 prill 1999, por theksoi se identiteti i viktimave nuk mund të konfirmohet pa përfundimin e ekzaminimeve forenzike.
“Dyshimi ynë i menjëhershëm ka qenë se bëhet fjalë për grupin e 23 intelektualëve të Mitrovicës, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill 1999. Megjithatë, nuk mund ta konfirmojmë këtë në këtë fazë dhe duhet të presim rezultatet e organeve kompetente”, tha Kurti.
Ai shtoi se gjetjet paraprake tregojnë se në Kalludër mund të jetë zbuluar një varrezë masive në një zonë që, sipas tij, nuk ishte hetuar më parë.
“Duket se kemi të bëjmë me një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, në një territor që deri më tani ka qenë i paprekur nga gërmimet. Tani mbetet që ekspertët të përcaktojnë natyrën e gjetjeve dhe të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë”, deklaroi ai.
Kurti bëri të ditur se në vendngjarje po punojnë ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e misionit të EULEX-it, ndërsa procesi i identifikimit pritet të zhvillohet përmes analizave forenzike.
“Për shumë familje, lufta ende nuk ka përfunduar. Përderisa nuk janë gjetur më të dashurit e tyre, pritja vazhdon. Çdo gërmim është një shpresë dhe çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë”, u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë akuzoi gjithashtu Serbinë se po pengon procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, duke mos zbatuar, sipas tij, Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023.
“Refuzimi për të hapur arkivat ushtarake është dëshmi se Serbia vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë presionin që të ndryshohet vendimi për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve dhe të hapet arkivi i Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave, në mënyrë që të sigurohen informacione për fatin e të zhdukurve me forcë”, tha Kurti.



