Shtohet presioni ndaj Abdixhikut, edhe LDK-ja në Lipjan kërkon largimin e tij

Pas Degës së LDK-së në Pejë, edhe Dega e LDK-së në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si standard të përgjegjësisë politike pas rezultatit të zgjedhjeve, raporton Spektatori.

Në një reagim të publikuar në Facebook pas mbledhjes së Kryesisë së Degës dhe kryetarëve të nëndegëve, LDK-ja në Lipjan tha se rezultati në nivel vendi kërkon reflektim, llogaridhënie dhe reformim të partisë në të gjitha nivelet.

Megjithëse dega vlerësoi se në Lipjan ka shënuar rritje të votës krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, ajo theksoi se rezultati mbetet larg pritjeve dhe nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale.

“Pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda LDK-së, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në njoftim.

Dega e Lipjanit theksoi se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak, duke kërkuar debat të hapur, llogaridhënie dhe reformim të brendshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e treta në zgjedhjet e mbajtura më 7 qershor, duke siguruar 16.69 për qind të votave, ose gjithsej 135,567 vota. Sipas rezultateve përfundimtare, ky rezultat i garanton subjektit 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në këto zgjedhje, LDK garoi në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, e cila ishte kandidate për postin e presidentes.

Ajo siguroi 92,236 vota, ndërkohë, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, mori 83,894 vota në garën përkatëse.

 

LDK-ja në Pejë kërkon dorëheqjen e lidershipit pas rezultatit zgjedhor

Lexo edhe:

Back to top button