
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë pas analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit.
Përmes një njoftimi në Facebook, dega bëri të ditur se, pas mbledhjes së Kryesisë, anëtarët me shumicë votash kanë kërkuar dorëheqje si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të bartet nga udhëheqja e partisë.
Sipas tyre, marrja e përgjegjësisë nga lidershipi duhet të jetë një imperativ i qartë brenda LDK-së, me qëllim të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike në parti.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në njoftim.



