
Shoqëria Mabco Constructions S.A. ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një hap që rikthen ligjshmërinë në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe të drejtat e saj si aksionere mazhoritare, raporton Spektatori.
Në një deklaratë zyrtare, kompania e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, thekson se “Gjykata e Lartë ka rrëzuar përfundimisht vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit që kufizonin të drejtën e votës së Mabco-s si ortak mazhoritar me 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare ‘Vlora International Airport – VIA’ sh.p.k.”
Sipas MABCO-s, për gati një vit ajo është penguar në ushtrimin e të drejtave themelore si aksionere, përfshirë të drejtën e votës, informimit, aksesit në kantier dhe kontrollit mbi investimin prej mbi 90 milionë euro. “Kjo situatë ka qenë një tentativë sistematike për shpronësim de facto të investitorit kryesor të huaj të projektit,” thuhet në deklaratë.
Kompanisë thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë krijon bazën për rikthimin e ligjshmërisë, por shton se zbatimi i tij kërkon veprime konkrete nga institucionet përkatëse.
Në këtë kuadër, Mabco i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Policisë së Shtetit me kërkesa për ndërhyrje.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të angazhohet seriozisht dhe me mirëbesim për ta çuar projektin përpara,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se deri më tani kompania është përballur me “heshtje institucionale pavarësisht më shumë se 50 shkresave zyrtare”.
Po ashtu, Mabco i bën thirrje QKB-së që të përditësojë menjëherë regjistrin tregtar në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, si dhe Policisë së Shtetit që “të mos përdoret si instrument për përjashtimin e zotëruesit me 98% të kuotave nga kantieri i tij”.
Kompanisë i është drejtuar gjithashtu edhe administratorit aktual të VIA-s dhe palëve të lidhura me të, duke kërkuar bashkëpunim në zbatimin e vendimit dhe ndërprerjen e çdo veprimi që pengon ushtrimin e të drejtave të saj.
Në deklaratë, Mabco thekson se, ndonëse vendimi i Gjykatës së Lartë është një hap i rëndësishëm, ai nuk kompenson dëmet e shkaktuara gjatë periudhës së kufizimeve, por shpreh angazhimin për vijimin e projektit.
“Aeroporti i Vlorës mund dhe duhet të përfundojë me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë,” thuhet në reagimin e kompanisë.
Mbyllet saga në Vlorë, Pacolli sërish në kontroll të aeroportit



