
Gjykata e Lartë ka zhbllokuar situatën rreth aeroportit të Vlorës, duke rikthyer të drejtat e kompanisë MABCO Constructions S.A. për administrimin e “Vlora International Airport” (VIA). Vendimi i marrë këtë të martë i hap rrugë rifillimit normal të punimeve në kantier, pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh mes ortakëve të projektit, raporton Spektatori.
MABCO, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe aksioneri kryesor në projekt, kishte humbur të drejtën e votës dhe kontrollit administrativ si pasojë e një serie vendimesh gjyqësore të lidhura me konfliktin mes ortakëve.
Mosmarrëveshja nisi pasi kompania 2A Group ngriti pretendime për kontrollin e 47% të aksioneve të aeroportit. Që nga shtatori i vitit 2025, çështja mbeti në proces gjyqësor, ndërsa administrimi i përditshëm i kantierit kaloi nën kontrollin e 2A Group.
Gjatë kësaj periudhe, sipas raportimeve, ritmi i punimeve u ngadalësua deri në bllokim të plotë, ndërsa pati edhe tensione në terren, përfshirë pengimin e hyrjes së stafit dhe specialistëve të kontraktuar nga MABCO.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë pritet të sjellë normalizim të situatës dhe rifillim të punimeve në fazën finale të projektit. Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga investimet më strategjike për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në jug të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, MABCO ka deklaruar vazhdimisht se vonesat nuk kanë ardhur si pasojë e problemeve teknike apo financiare, por për shkak të bllokimeve administrative dhe juridike në kantier. Kompania ka paralajmëruar gjithashtu audit ndërkombëtar për sigurinë e punimeve dhe vazhdimin e procesit të kolaudimit të aeroportit.



