Zhgënjehet kandidati i PDK-së që mbetet jashtë Kuvendit: Çfarë pret populli kur vazhdon t’i votojë të njëjtët njerëz?

Kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, Nderim Mustafa, nuk ka arritur të sigurojë ulëse në Kuvend, pasi sipas numërimit të deritanishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me 89% të votave të procesuara ai renditet i 84-ti me 2,193 vota.

Në një reagim në Facebook, Mustafa ka falënderuar qytetarët që e kanë mbështetur, duke thënë se besimi i tyre për të përfaqësuar një Kosovë më të mirë është i çmuar.

“Faleminderit nga zemra secilit që më ka mbështetur, më ka besuar dhe më ka votuar. Mirënjohja ime është e pafund për çdo qytetar që besoi se Kosova meriton më shumë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ai ka ngritur edhe kritika ndaj skenës politike, duke vënë në pikëpyetje ciklin e përsëritur të emrave në politikë, raporton Spektatori.

“Çfarë pret populli i Kosovës kur vazhdon t’i votojë të njëjtët njerëz, si në pozitë ashtu edhe në opozitë? Si mund të presim ndryshim kur në skenën politike vazhdojnë të qarkullojnë të njëjtët emra, të njëjtat premtime dhe të njëjtat zhgënjime?”, ka theksuar Mustafa.

Sipas tij, ndryshimi nuk vjen vetvetiu, por përmes votës së lirë dhe të vetëdijshme të qytetarëve.

“Ndryshimi nuk vjen vetvetiu. Ndryshimi vjen përmes votës së lirë të qytetarit, jo përmes votës së dirigjuar, jo përmes presioneve dhe jo përmes interesave personale”, ka shtuar ai.

Në fund të reagimit, Mustafa ka thënë se Kosova duhet të zgjedhë “njerëz me vizion, jo vetëm të njohur”, duke theksuar se angazhimi për ndryshim politik do të vazhdojë pavarësisht rezultatit zgjedhor.

Sipas rezultateve preliminare, PDK-ja do t’i ketë 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia e udhëhequr nga Bedri Hamza ka marrë 21,13% apo 147,325 vota.

Lexo edhe:

Back to top button