Zbulohen parregullsi me njehsorët elektrikë, KEDS gjobitet me 25 mijë euro

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njoftoi të martën se ka gjobitur operatorin për shpërndarjen e energjisë elektrike KEDS me 25 mijë euro, pasi inspektimet e fundit identifikuan pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.

Sipas ministrisë, kontrollet janë realizuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen dhe verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.

“Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi janë identifikuar edhe pesë (5) njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik, për çka ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e MINTI-t në Facebook.

Ministria tha se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të garantuar matjen e saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

“MINTI dhe AMK theksojnë se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të standardeve ligjore dhe metrologjike në fuqi”, thuhet më tej në deklaratë.

Institucionet përgjegjëse u zotuan të vazhdojnë mbikëqyrjen për të siguruar që të gjithë njehsorët elektrikë në përdorim të jenë të verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore.

“MINTI u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që posedojnë dëshmi apo dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë të vazhdojnë t’i adresojnë ankesat dhe informacionet e tyre” përmes kanaleve të raportimit të ministrisë, thuhet në njoftim.

KEDS nuk ka komentuar ende publikisht lidhur me gjobën e shqiptuar.

Lexo edhe:

Back to top button