Veliu kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Po sillet si pronar partie, jo kryetar i zgjedhur

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se kërkesat për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë “plotësisht legjitime dhe të drejta”.

Sipas Veliut, këto kërkesa burojnë nga përgjegjësia politike për rezultatet zgjedhore të partisë.

“Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin”, ka deklaruar Veliu në Facebook.

Ai tha se LDK-ja, nën udhëheqjen aktuale, ka mbetur në vendin e tretë dhe nuk ka arritur të rikthehet si forcë konkurruese për pushtet, pavarësisht pritshmërive dhe premtimeve.

“Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet”, ka thënë ai.

Veliu vlerësoi se mungesa e reflektimit politik pas rezultateve zgjedhore e pengon reformimin e partisë.

Ai gjithashtu kritikoi reagimet e kryetarit të LDK-së ndaj kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, duke i cilësuar ato si “arrogante”.

Sipas tij, Abdixhiku ka kërkuar dorëheqjen e disa kryetarëve të degëve lokale që, siç tha ai, kanë fituar zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë nuk ka marrë përgjegjësi për rezultatet në nivel qendror.

“Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë”, ka thënë Veliu.

Ai shtoi se mënyra se si trajtohen kritikët brenda partisë tregon, sipas tij, problem në kuptimin e demokracisë së brendshme dhe funksionimit politik të LDK-së.

“Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë”, përfundoi Veliu.

Lexo edhe:

Back to top button