
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në bjeshkën e Strellcit të Deçanit, ku dyshohet se një person ka humbur jetën si pasojë e një incidenti aksidental me armë zjarri.
Sipas informacioneve të para, viktima dyshohet se është vrarë aksidentalisht nga djali i tij, raporton Spektatori.
Rastin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Rreth orës 13:43, Policia ka marrë informacione se në bjeshkën e Strellcit, në oborrin e një stani, është një person i vrarë. Informacionet fillestare janë se bëhet fjalë për një vrasje aksidentale. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë, ndërsa aty janë të gjitha ekipet relevante”, ka deklaruar Rugova.
Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se prokurori kujdestar dhe njësitet relevante policore ndodhen në vendin e ngjarjes.
“Prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante policore janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka thënë Nikçi.



