
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se një zgjidhje do të mund të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kurti, i cili nuk propozoi sërish një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryetarit të Kuvendit, iu drejtua deputetëve me kërkesën për më shumë kohë për negociata.
“Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, tha Kurti.
Kërkesa e tij u pasua nga tensione në sallën e Kuvendit, duke bërë që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta ndërpresë mbledhjen.
Pas përfundimit të fjalimit të Kurtit, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, iu afrua dhe hodhi vezë në drejtim të tij.
Incidenti shkaktoi përplasje mes deputetëve të grupeve të ndryshme parlamentare. Deputetët u ngritën nga vendet e tyre dhe pati shtyrje fizike në sallë, ndërsa deputetë të LVV-së u panë duke u pozicionuar pranë Kurtit.
Dehari ndërpreu seancën pas përshkallëzimit të tensioneve.



