Supremja lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e një të miture në fushatë zgjedhore

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me të cilin ky subjekt politik është gjobitur me 5,100 euro për shkelje të rregullave zgjedhore lidhur me përfshirjen e një fëmije në aktivitet fushate.

Sipas vendimit të PZAP-së, të datës 03.06.2026, ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) janë vlerësuar të bazuara, pasi gjatë një tubimi zgjedhor të LVV-së në Vushtrri më 31.05.2026, një vajzë e mitur 10-vjeçare kishte dalë në skenë dhe kishte recituar para të pranishmëve, e veshur me simbole të subjektit politik, raporton Spektatori.

LVV kishte kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit të organizuar dhe se paraqitja e saj kishte qenë e pa planifikuar, me iniciativë të vetë saj dhe në prani të prindit.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se përgjegjësia bie mbi organizatorin e aktivitetit, i cili ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një personi nën moshën 15-vjeçare në një tubim zgjedhor, “në kundërshtim me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse pjesëmarrja e të miturës ka qenë e iniciuar nga vetë ajo apo nga organizatorët, por fakti se ajo është lejuar të marrë pjesë në mënyrë aktive në një aktivitet fushate.

“Duke pasur parasysh qëllimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj, ndaj refuzoi ankesën e LVV-së si të pathemeltë duke lënë në fuqi vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

 

Lexo edhe:

Back to top button