
Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të mbajtur të mërkurën, është diskutuar një rast ankese ndaj televizionit TV Dukagjini, ku gjatë shqyrtimit është përmendur edhe mundësia e ndalimit emisionit ‘Debat Plus’, në rast të përsëritjes së shkeljeve.
Gjatë mbledhjes, nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina, ka dhënë një deklaratë skandaloze, duke thënë se në rast se shkeljet e tilla përsëriten, mund të propozohet masa më e ashpër, përfshirë edhe ndalimin e emisionit, raporton Spektatori.
“Për masa të tjera, në qoftë se raste të tilla përsëriten unë kam kërkesë, propozim Komisionit, emisionit të tillë, kjo është hera, për një muaj ditë, qe sa na jena anëtarë të KPM-së, raste të tilla po përsëriten nga emisioni i njëjtë, deri në ndalimin e emisionit të tillë”, u shpreh Morina.
“Ky është propozimi jem dhe do të jetë temë shqyrtimi në mbledhjen e radhës”, shtoi ajo.
Gjatë prezantimit të rastit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Niman Racaj, ka bërë të ditur se ankesa lidhet me një debat televiziv në të cilin është përdorur fjala “hajn” apo “hajneshë”.
Sipas Racajt, Zyra Ekzekutive ka vlerësuar se veprimet e moderatorit Ermal Panduri “kanë qenë në kundërshtim me Kodin e Etikës së mediave, konkretisht nenin 4, paragrafin 3, i cili obligon moderatorët që në emisione të drejtpërdrejta të evitojnë përdorimin e gjuhës vulgare dhe ofenduese”.
Ai ka shtuar se, sipas analizës së Departamentit të Monitorimit dhe atij Ligjor, në këtë rast ka pasur përdorim të gjuhës me elemente ofenduese, si dhe akuza që prekin çështje të natyrës penale, pa u paraqitur fakte apo argumente.
“Përderisa nuk janë paraqit faktet dhe përderisa nuk është kërku nga moderatori verifikimi i tyre gjatë debatit, është vlerësu që nuk janë ndërmarrë veprimet e duhura për parandalimin e gjuhës së tillë”, ka thënë Racaj.
Ai ka theksuar gjithashtu se, bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, etiketimi i një subjekti me akuza penale pa fakte nuk mbetet vetëm në nivel opinioni, por hyn në sferën e deklarimeve të paprovuara dhe potencialisht ofenduese.
Pas diskutimeve, KPM ka vendosur me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, që ndaj TV Dukagjinit të shqiptohet masa sanksionuese “vërejtje”, si dhe të kërkohet kërkimfalje ndaj palës ankuese dhe t’i jepet mundësia për reagim. Në mbledhje nuk është bërë e ditur pala ankuese, as emisioni konkret që ka qenë objekt i ankesës.
Ndërkohë, juristja për media, Flutura Kusari, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me qasjen e KPM-së, duke vlerësuar se institucioni po synon “disiplinimin e mediave dhe moderatorëve” që lejojnë kritika ndaj pushtetit.
Ajo tha se shqetësimet e saj bazohen në analizën ligjore të vendimeve të KPM-së, monitorimin e mbledhjeve dhe procesverbalet e mëparshme.
Sipas saj, gjatë kësaj mbledhjeje është përmendur për herë të parë mundësia e ndalimit të emisionit informativ “Debat Plus”, në rast përsëritjeje të shkeljeve, ndonëse nuk është marrë vendim për ndërprerjen e tij.
Kusari ka kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të rasteve, duke e cilësuar problematike mungesën e transparencës dhe faktit që KPM, sipas saj, po tejkalon kompetencat duke vendosur për çështje si shpifja apo ofendimi.
Ajo ka shtuar se mediat në një shoqëri demokratike kanë obligim vetëm të ofrojnë hapësirë për demant kur ka deklarata të palëve të treta në debate live, duke u referuar praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në fund, Kusari shkroi në Facebook se vendimet e KPM-së do të rrëzohen në gjykata, pasi sipas saj janë joproporcionale dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e punës së institucionit dhe ka bërë thirrje që mediat të ndjekin nga afër mbledhjet e tij.
“Unë kam besim të plotë në sistemin gjyqësor dhe besoj se të gjitha këto vendime politike të KPM-së do të rrëzohen një nga një nga gjykatat, sepse janë arbitrare, joproporcionale dhe në kundërshtim me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias”, shkroi Kusari.
“Për aq kohë sa do të vazhdojë kjo qasje, unë do ta monitoroj KPM-në me llupë, qoftë duke marrë pjesë në mbledhje, duke lexuar vendimet apo duke analizuar procesverbalet dhe transkriptet e saj”.



