
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka vazhduar të mbajë një numër të madh të pozitave drejtuese me ushtrues detyre (UD) përtej afateve të lejuara me ligj.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, në programe të ndryshme të SHSKUK-së janë identifikuar nëntë pozita të nivelit drejtues të mbuluara me vendime për ushtrues detyre që nuk ishin në përputhje me afatet ligjore.
ZKA ka gjetur se këto vendime datojnë nga viti 2010 deri në vitin 2023. Më tej, zyrtarët përgjegjës kanë konfirmuar se numri i përgjithshëm i pozitave të mbuluara me ushtrues detyre, që nuk ishin në përputhje me dispozitat ligjore, arrin në 337, raporton Spektatori.
“Në programe të ndryshme në kuadër të SHSKUK-së janë identifikuar nëntë (9) pozita të nivelit drejtues të mbuluara me vendime për ushtrues detyre (UD) jo në përputhje me afatin e përcaktuar ligjor. Vendimet për këto pozita ishin që nga viti 2010 deri në 2023”, thuhet në raportin e ZKA-së.
“Nga zyrtarët përgjegjës është konfirmuar që pozita të mbuluara me UD të cilat nuk ishin në përputhje me dispozitat ligjore ishin gjithsej 337”, thuhet tutje në raport.
Auditori rikujton se Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se një zyrtar publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre për më shumë se 12 muaj, ndërsa një pozitë e lirë nuk mund të mbulohet me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet, përveç rasteve të përcaktuara me ligj.
Sipas gjetjeve të auditimit, menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme dhe me kohë për zhvillimin e procedurave të rregullta të rekrutimit dhe emërimit përmes konkurseve publike. Po ashtu, në raport thuhet se vendimet ekzistuese nuk janë përshtatur me ndryshimet e fundit ligjore. SHSKUK-ja është pajtuar me këto gjetje të auditorit.
ZKA vlerëson se mbajtja e pozitave drejtuese me ushtrues detyre për periudha më të gjata sesa lejon ligji krijon pasiguri në procesin e vendimmarrjes dhe në përgjegjësitë e funksioneve kyçe.
Për këtë arsye, auditori i ka rekomanduar Bordit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së që të harmonizojnë vendimet për ushtrues detyre me dispozitat aktuale ligjore dhe të sigurojnë zhvillimin e procedurave të rekrutimit brenda një afati të arsyeshëm për plotësimin e këtyre pozitave me staf të rregullt.
“Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të përshtatin vendimet për ushtrues detyre në përputhje me dispozitat aktuale ligjore, si dhe të sigurojë që brenda një afati të arsyeshëm të zhvillojë procedurat e rekrutimit në përputhje me kërkesat ligjore për plotësimin e pozitave që mbahen me ushtrues detyre”.
Ky raport ka rezultuar me 12 rekomandime, ku pesë prej tyre janë rekomandime të reja si dhe shtatë të përsëritura.
Buxheti i SHSKUK-së për vitin 2025 ka qenë 203 milionë euro. Aktualisht drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së është Elvir Azizi.
Azizi, shoku dhe kolegu i studimeve të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, e udhëheq këtë institucion nga 5 korriku 2023. /Spektatori.com



