
Blerim Haxhiaj nuk do të jetë më ushtrues detyre i kryeredaktorit të kanaleve televizive në gjuhën shqipe të Radio Televizionit të Kosovës.
Pas një periudhe të shoqëruar me kritika të shumta publike për qasjen e tij ndaj pushtetit, veçanërisht pas intervistës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Haxhiaj është larguar nga kjo pozitë.
Sipas një emaili të siguruar nga Gazeta Express, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Rilind Gërvalla, ka njoftuar stafin për ndryshimin në redaksi.
Në vend të Haxhiajt është caktuar Venera Xhoxhaj Adili si ushtruese detyre e kryeredaktores së kanaleve televizive në gjuhën shqipe.
“Duke filluar nga sot 4.08.2026, ftohen të gjithë kolegët që të bashkëpunojnë ngushtë me znj. Xhoxhaj Adili”, thuhet në emailin e Gërvallës.
Haxhiaj ishte vënë në qendër të debatit publik pas intervistës së tij me Albin Kurtin, e cila u kritikua nga kundërshtarë politikë të kryeministrit dhe figura publike, të cilët pretenduan se intervista kishte mungesë të përballjes dhe pyetjeve kritike ndaj kreut të ekzekutivit.
Kritikat ndaj tij u përqendruan te ajo që u cilësua si qasje tepër e afërt me pushtetin, ndërsa intervista me Kurtin u përdor nga kritikët si shembull i kësaj qasjeje.
Megjithatë, RTK-ja nuk ka bërë të ditura arsyet zyrtare të largimit të Haxhiajt nga kjo pozitë.
Ndryshimi hyn në fuqi nga 4 gushti, ndërsa Xhoxhaj Adili pritet të marrë drejtimin e përkohshëm të kryeredaksisë së kanaleve televizive në gjuhën shqipe të transmetuesit publik.



