Ramush Haradinaj: Paga minimale si asistencë në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë në largim për, siç ka thënë ai, përkeqësimin e kushteve të jetesës dhe punës për qytetarët e vendit, raporton Spektatori.

Sipas Haradinajt, qeveritë e përgjegjshme duhet të punojnë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, ndërsa aktualja ka vepruar në drejtim të kundërt. Ai ka theksuar se qytetarët përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe një standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon.

Ai ka shtuar se paga minimale është shndërruar më shumë në një formë asistence, ndërsa paga mesatare mezi arrin të mbulojë nevojat bazike të një familjeje. Sipas tij, vështirësitë janë të njëjta si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ndërsa presioni ekonomik vazhdon të rritet.

Haradinaj ka vlerësuar se shumë punëtorë kanë humbur shpresën dhe se të rinjtë po e shohin largimin nga vendi si mundësinë e vetme për një jetë më të mirë.

Në fund, ai ka uruar të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke shprehur shpresën për ditë më të mira, me më shumë dinjitet dhe mundësi brenda vendit.

Lexo edhe:

Back to top button