Rama e ndan Kurtin nga protestat në Tiranë: Nuk e bëj përgjegjës për sallahanat e Vetëvendosjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi të dielën ndaj pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij, duke deklaruar se ata nuk mund të konsiderohen “diasporë” e Shqipërisë dhe duke kritikuar organizatorët e aktiviteteve të tilla.

Në reagimin e tij, Rama kërkoi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mos lidhet me këtë çështje, duke thënë se nuk e konsideron atë përgjegjës për individët nga Lëvizja Vetëvendosje që mund të jenë përfshirë në organizimin apo mbështetjen e protestave.

“Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata”, shkroi Rama.

Ai publikoi në Facebook një postim të një gruaje nga Tetova, e cila kritikonte bashkëkombësit e saj për pjesëmarrjen në protestat antiqeveritare në Shqipëri. Duke iu referuar këtij postimi, Rama tha se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por një popull shtetformues në vendin e tyre.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj”, shkroi ai.

Rama shtoi se shqiptarët e Kosovës “kanë shtetin e tyre të pavarur” dhe nuk mund të konsiderohen pjesë e diasporës shqiptare.

Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi ashpër ata që, sipas tij, po mobilizojnë qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për protesta në Tiranë, duke argumentuar se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e shqiptarëve në rajon dhe ndërkombëtarisht.

“Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’… ata janë thjesht viktima të zellshme”, tha Rama.

Ai sugjeroi se organizatorët e këtyre aktiviteteve po financojnë transportin dhe pjesëmarrjen e protestuesve, por tha se kjo nuk përbën kërcënim për qeverinë e tij.

“Duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029”, shkroi ai.

Rama kritikoi gjithashtu përdorimin e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në protesta kundër qeverisë shqiptare.

“Nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë”, tha ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë tensionesh politike në Shqipëri dhe pas debateve të fundit mbi përfshirjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë.

Lexo edhe:

Back to top button