Qorrolli: LVV-LDK mund të arrijnë marrëveshje, Kurti mbetet i pakontestueshëm për kryeministër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka shprehur optimizëm se takimi i së martës mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të hapë rrugë për një marrëveshje politike, me qëllim tejkalimin e ngërçit institucional.

Në një intervistë për emisionin “Info Nata” në TeVe1, Qorrolli tha se pret që LDK-ja të hyjë në negociata me qasje konstruktive, duke theksuar se kjo parti, si subjekti i tretë më i madh në Kuvend, ka një rol të rëndësishëm në procesin politik.

“Ne besojmë që LDK-ja do ta ketë guximin. Ata janë grupi i tretë më i madh, me 18 deputetë. Besojmë që takimi i nesërm do të kalojë në një frymë konstruktive dhe mund të sjellë një rezultat pozitiv, që në gjykimin tim është i mundshëm dhe mund të çojë në një marrëveshje mes dy subjekteve”, ka deklaruar Qorrolli.

Sipas tij, bisedimet mes dy partive po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe synimi kryesor është krijimi i institucioneve stabile me mandat të plotë.

“Negociatat kanë një relaks të jashtëzakonshëm mes dy partive. Ne mbesim shumë besimplotë që LDK-ja do ta ketë kurajën të negociojë mbi premisa politike që do t’i ofrojnë Kosovës institucione stabile katërvjeçare. Më e rëndësishme sesa emrat është që Kosova të ketë institucione me legjitimitet të plotë për katër vjet”, është shprehur ai.

Qorrolli tha se në tavolinën e negociatave nuk do të ketë tema të ndaluara, përveç pozitës së kryeministrit, për të cilën insistoi se nuk është pjesë e diskutimit.

“Jemi brenda rregullave të lojës politike dhe të konsensusit politik. Nuk besoj se do të ketë tema tabu. Do të flitet për gjithçka. Institucioni i kryeministrit është i pakontestueshëm dhe ai do të jetë Albin Kurti”, tha deputeti i LVV-së.

Ai shtoi se për pozitat e tjera institucionale pritet të gjendet një formulë përmes marrëveshjes politike, ku do të diskutohet pjesëmarrja e mundshme e LDK-së në qeveri, përbërja e kabinetit qeveritar dhe çështja e presidentit.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Qorrolli bëri të ditur se LVV-ja nuk e mbështet një mandat të dytë për presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë për presidenten Osmani. LVV-ja nuk preferon që të jetë sërish presidente. Ne duam një emër konsensual, që mund të jetë më afër vlerave që ndajnë dy partitë politike”, deklaroi ai.

Sipas tij, për kandidaturën e Osmanit nuk ka pajtim as brenda grupit parlamentar të LVV-së.

“Me sa di unë, brenda grupit parlamentar nuk ka pajtueshmëri për kandidaturën e saj. Ka shumë deputetë që kanë thënë se nuk e pëlqejnë Osmanin për presidente”, ka theksuar Qorrolli.

Lexo edhe:

Back to top button