
Naim Murseli me burg të përjetshëm. Granit Plava me burg të përjetshëm. Kushtrim Kokalla me 30 vjet burg. Ky ishte bilanci i dënimeve që dha Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e Liridona Ademajt, një prej rasteve më të rënda të pasluftës në Kosovë. Në krye të gjithë këtij hetimi ishte prokurorja serbe, Javorka Perlinçeviq.
Shkruan: Besian Beha
Në gjithë sistemin prokurorial të Kosovës janë tetë prokurorë serbë. Në fakt, prej tyre vetëm një është aktive, pasi shtatë të tjerët kanë pezulluar punën kur ndodhi tërheqja e serbëve nga institucionet. Prokurorja e vetme serbe që vazhdon të punojë brenda sistemit prokurorial të Kosovës është Javorka Perlinçeviq, e cila detyrat e saj i kryen në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Procedurat e brendshme të caktimit të lëndëve bënë që prokurorja e vetme serbe brenda sistemit prokurorial në Kosovë të ishte në krye të hetimeve për një prej vrasjeve më të rënda në shumë vjet në Kosovë – vrasjen e Liridona Ademajt, e cila u organizua nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u krye nga Granit Plava dhe u ndihmua nga Kushtrim Kokalla.
Prokurorja Perlinçeviq, në një bashkëpunim deri në detaje me hetuesit e rastit, të cilët ishin shqiptarë, arriti të sigurojë të gjitha provat e nevojshme që çuan deri te dënimi përfundimtar i tre të akuzuarve. U gjetën kamerat e sigurisë, mesazhe telefonike, prova për blerjen e armëve dhe dëshmi të tjera të pakontestueshme, që u konfirmuan edhe me aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me t’u ndarë rasti te prokurorja serbe, kjo e fundit kishte zhvilluar edhe një takim me familjen e Liridona Ademajt në dhjetor të vitit 2023. Aty, Perlinçeviq ishte zotuar se hetimet po shkonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufijve që lejon ligji. Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë. U dakorduam që tani e tutje do të kemi takime të rregullta informuese”, kishte shkruar vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj.
E zotimi i prokurores serbe ishte konfirmuar. Në ditën e ngritjes së aktakuzës ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, prokurorja Javorka Perlinçeviq doli në konferencë për media dhe dha detaje rreth hetimit.
“Nuk mund t’i tregojmë të gjitha motivet, pasi aktakuza në momentin që kemi hyrë në sallë është dërguar në gjykatë dhe për detajet e aktakuzës nuk mund të themi. Por mund të themi se, përderisa kanë jetuar në Suedi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare, gjatë të cilave kanë ardhur deri te probleme të tjera, edhe financiare. Për motivet e tjera që kanë çuar këtë rast deri te vrasja mund ta kuptoni në seancat gjyqësore”, deklaronte prokurorja serbe më 15 janar 2025.
Pas dhjetëra seancave të mbajtura, qindra provave materiale të prezantuara dhe shumë dëshmitarëve, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burg të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burg. Ky dënim dhe hetimi i gjithë rastit e lanë të kënaqur familjen Ademaj.
“Ajo se çfarë u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë që nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon edhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre. Andaj, ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata që mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë”, kishte deklaruar vëllai i Liridona Ademajt menjëherë pas vendimit.
Familja kishte falënderuar prokuroren për punën dhe të gjithë hetuesit e përfshirë në rast.
Javorka Perlinçeviq është pjesë e sistemit prokurorial të Kosovës prej vitit 2012, kur ishte dekretuar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga. Aktualisht është e vetmja prokurore serbe aktive në Kosovë, pasi të tjerët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Perlinçeviq kishte hetuar edhe raste të tjera të krimeve që binin në juridiksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se në konkursin e fundit për prokurorë nuk ka pasur asnjë serb që ka aplikuar.
“Bazuar në përvojën e deritashme, nuk ka pasur interesim të madh nga juristët serbë për të aplikuar për prokurorë, ndërsa për pozita brenda sistemit ka pasur raste. Në procesin e vitit 2024, edhe pse në konkurs katër pozita kanë qenë të rezervuara për komunitetin serb, nuk ka aplikuar asnjë kandidat nga ky komunitet, ndërsa ka pasur aplikime nga komunitetet e tjera joshumicë. Gjithashtu, edhe në procesin e vitit të kaluar (2025) nuk ka aplikuar asnjë kandidat nga komuniteti serb, ndërsa ka pasur disa aplikime nga komunitetet tjera”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.
Kurse, në sistemin gjyqësor të Kosovës deri vonë kanë qenë 29 gjyqtarë serbë, prej të cilëve 19 nuk e ushtronin funksionin e tyre si pasojë e dorëheqjeve të vitit 2022, me ç’rast KGjK-ja kishte pezulluar pagat e të gjithë këtyre gjyqtarëve.
Në fillim të muajit maj u dekretuan edhe dy gjyqtarë të tjerë serbë, duke u bërë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.
Edhe Këshilli Prokurorial, edhe Këshilli Gjyqësor kanë bërë të ditur se i respektojnë të gjitha procedurat për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe se ndarja e lëndëve bëhet njësoj për të gjithë, pavarësisht etnisë.
Problemi kryesor kishte qenë me dorëheqjet e vitit 2022. Në nëntorin e atij viti, përfaqësuesit serbë në veriun e Kosovës u tërhoqën nga institucionet e Kosovës si protestë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave të automjeteve nga targat serbe në targa RKS.
Institucionet e Kosovës vazhduan të funksionojnë duke rekrutuar personel të ri dhe duke riorganizuar punën. Megjithatë, kthimi i shumicës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve serbë nuk ndodhi. Përderisa te policët janë shpallur konkurse dhe ka pasur serbë të tjerë të punësuar, në sistemin e drejtësisë ishte mundësuar që atyre që dhanë dorëheqje t’u pezulloheshin pagat deri në vendimin përfundimtar.



