
Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili një natë më parë kritikoi sërish këtë institucion dhe kryeprokurorin Blerim Isufaj.
Sipas PSRK-së, deklaratat e Kurtit nuk bazohen në fakte dhe nuk lidhen me procedura zyrtare institucionale.
Në reagimin e saj, Prokuroria Speciale theksoi se puna e saj mbështetet në profesionalizëm, pavarësi dhe respektim të ligjit, duke shtuar se integriteti institucional ndërtohet përmes veprimeve konkrete dhe jo deklaratave politike.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rithekson përkushtimin për ushtrimin e mandatit të saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme, në shërbim të sundimit të ligjit dhe interesit publik. Institucioni dhe kryeprokurori Blerim Isufaj nuk komentojnë deklarata politike, sidomos kur ato nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare”, thuhet në reagim.
PSRK ka bërë të ditur se do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi në Kosovë.
Në reagim theksohet gjithashtu se transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi i ligjit janë elementet mbi të cilat ndërtohet besueshmëria e institucionit.
Ndërkohë, gjatë intervistës së tij, Kurti kritikoi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për zvarritje të shqyrtimit të disa çështjeve të dërguara nga opozita.
Ai përmendi në veçanti Fondin Sovran, duke thënë se Kushtetuesja ende nuk ka kthyer përgjigje pas afro 900 ditësh.



