Pacolli reagon pas ndërhyrjes në aeroport: “Aeroportin le ta marrin, nuk luftoj me shtetin”

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook lidhur me zhvillimet e fundit rreth aeroportit në Vlorë dhe ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në kantierin e projektit.

Duke folur nga Astana, Pacolli ka bërë të ditur se është kontaktuar nga një gazetar nga Shqipëria, i cili e kishte pyetur se çfarë do të ndodhë pas marrjes së aeroportit nga autoritetet shtetërore.

“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë”, ka shkruar Pacolli, transmeton spektatori.com.

Ai ka theksuar se objekti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e tij financiare, duke pretenduar se në projekt janë investuar mbi 310 milionë euro dhe janë angazhuar garanci financiare të konsiderueshme.

Sipas Pacollit, kompania MABCO ka përfunduar objektet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i kishte ndarë nga projekti më 24 gusht, ndërsa ka shtuar se që nga muaji mars janë kryer punimet përfundimtare dhe rregullimi i hapësirave përreth aeroportit.

Në reagimin e tij, Pacolli ka ngritur shqetësime edhe për trajtimin e punëtorëve dhe stafit teknik gjatë ndërhyrjes së policisë.

“Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës”, ka deklaruar ai, duke shtuar se në kantier kanë mbetur pajisje pune, materiale personale dhe dokumentacion.

Pacolli ka garantuar se të gjithë nënkontraktorët dhe detyrimet financiare do të paguhen “deri në centin e fundit”, ndërsa ka bërë të ditur se do të përpiqet të angazhojë punëtorët në projekte të tjera jashtë vendit.

Në fund të reagimit të tij, ai ka akuzuar shtetin për përdorim të padrejtë të forcës dhe ka paralajmëruar se çështjet materiale do të zgjidhen me ligj, por sipas tij, dëmi ndaj besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve do të jetë më i vështirë për t’u riparuar. /Spektatori.com

 

 

 

Lexo edhe:

Back to top button