Nga ndjekja penale ndaj Agim Ademit te pagesat nga FFK-ja – anëtarja e KPK-së nën hetim

Një vit pasi kërkonte përgjegjësi penale për Agim Ademin në sallën e gjyqit, Elza Bajrami-Kastrati u shfaq në një rol tjetër: si pjesë e strukturave të federatës së tij me pagesë. Tani, ky raport është nën hetim nga Prokuroria Speciale, raporton Spektatori.

Një nga figurat e sistemit prokurorial të Kosovës është futur në një proces verifikimi që lidhet me një marrëdhënie të pazakontë mes drejtësisë dhe futbollit.

Elza Bajrami-Kastrati, ish-zëvendëskryeprokurore e Prishtinës dhe anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, është bërë objekt i veprimeve hetimore pasi mori pagesa nga Federata e Futbollit të Kosovës – organizata e drejtuar nga Agim Ademi, personi ndaj të cilit ajo kishte përfaqësuar aktakuzën si prokurore.

Sipas burimeve të Spektatorit, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë dokumentacion dhe informacione lidhur me angazhimin e saj në FFK, pagesat e përfituara dhe procedurat përmes të cilave ajo është caktuar në këtë pozitë.

Hetimi vjen pas publikimeve që ngritën pikëpyetje mbi përputhshmërinë e këtij angazhimi me rregullat që përcaktojnë kufijtë e veprimtarive shtesë të prokurorëve dhe mbi mundësinë e konfliktit të interesit.

Nga prokurorja e rastit te anëtarja e komisioneve në FFK

Në mars të vitit 2023, Elza Bajrami-Kastrati ishte prokurorja që përfaqësoi aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Agim Ademit në rastin ku ai akuzohej për veprën penale “detyrim në tentativë”.

Sipas aktakuzës së atëhershme, Ademi akuzohej se kishte ndërmarrë veprime të paligjshme ndaj një personi tjetër, me qëllim që ai të kryente veprime në dëm të pasurisë së vet.

Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi Ademin nga akuza, duke vlerësuar se nuk ishte provuar kryerja e veprës penale.

Vendimi i shkallës së parë mund të ankimohej në Gjykatën e Apelit, por deri tani nuk është bërë publike nëse Prokuroria kishte ushtruar ankesë ndaj tij.

Më pas, zhvillimet morën një kthesë tjetër. Sipas dokumenteve të deklarimit të pasurisë, më 7 nëntor 2024, Bajrami-Kastrati filloi angazhimin si “anëtare komisionesh” në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo pozitë ishte me pagesë.

4,500 euro nga Federata e Futbollit

Angazhimi i saj në FFK solli edhe të ardhura financiare.

Sipas të dhënave të deklaruara, pagesa mujore për këtë angazhim ishte 300 euro.

Të ardhurat vjetore të Elza Bajrami-Kastratit, të deklaruara në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2025
Të ardhurat vjetore të Elza Bajrami-Kastratit, të deklaruara në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2025

Në vitin e parë, Bajrami-Kastrati – e cila ka qenë pjesë e Panelit Vlerësues për përzgjedhjen e Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit – deklaroi 600 euro të ardhura nga Federata.

Të ardhurat vjetore të Elza Bajrami-Kastratit, të deklaruara në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2026
Të ardhurat vjetore të Elza Bajrami-Kastratit, të deklaruara në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2026

Në vitin pasues, ajo deklaroi edhe 3,900.13 euro të tjera. Në total, përfitimet nga ky angazhim arrijnë rreth 4,500 euro.

Ajo vazhdoi të ishte e angazhuar në FFK edhe pasi u bë anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Angazhimi që nuk kaloi në shqyrtim të KPK-së

Një nga çështjet kryesore të ngritura lidhet me mënyrën se si u realizua ky angazhim. Caktimi i Bajrami-Kastratit në FFK nuk ishte dërguar për miratim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo mori rëndësi për shkak se KPK-ja kishte shqyrtuar raste të tjera të ngjashme.

Një prej tyre ishte kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, për angazhim në një komision të FFK-së me pagesë.

Këshilli Prokurorial e kishte refuzuar atë kërkesë, duke vlerësuar se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore dhe etike.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, e kishte cilësuar propozimin si “të çuditshëm”, duke ngritur shqetësime për angazhimin me pagesë të një zyrtari të lartë prokurorial në një strukturë jashtë sistemit.

Vendimi i KPK-së për refuzimin e kërkesës së Agron Bajramit
Vendimi i KPK-së për refuzimin e kërkesës së Agron Bajramit

APK: Pagesa kërkon vlerësim të kujdesshëm

Pas publikimit të rastit, Bajrami-Kastrati iu drejtua Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të kërkuar sqarim nëse ekzistonte konflikt interesi mes pozitës së saj në KPK dhe angazhimit në FFK.

Ajo kërkoi interpretim për lejueshmërinë e mbajtjes së dy pozitave.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit sqaroi se nuk kishte nxjerrë vendim formal për rastin, por kishte dhënë përgjigje këshilluese.

APK theksoi se angazhimet në fusha si sporti mund të lejohen, por vetëm nëse nuk cenojnë paanshmërinë, nuk krijojnë konflikt interesi dhe nuk dëmtojnë besimin në institucion.

Pika më e ndjeshme ishte pagesa mujore. Agjencia rikujtoi se ligji lejon anëtarësimin në organizata sportive, por pa të drejtë shpërblimi, përveç kompensimit të shpenzimeve.

Për shkak të pagesës së marrë nga FFK-ja, APK tha se rasti kërkonte vlerësim të kujdesshëm. Agjencia e udhëzoi Bajrami-Kastratin që çështjen ta dërgonte për shqyrtim në Këshillin Prokurorial.

Përplasja mes deklarimit dhe dokumenteve

Në një mbledhje të Këshillit Prokurorial, Bajrami-Kastrati deklaroi se kishte kërkuar mendim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe se, sipas saj, nuk kishte konflikt interesi mes funksionit në KPK dhe angazhimit në FFK.

Ajo tha se për këtë arsye ishte përjashtuar nga votimet që mund të lidhen me Federatën e Futbollit.

Megjithatë, sipas përgjigjes së APK-së të publikuar nga Paparaci, Agjencia nuk kishte dhënë një vendim përfundimtar se nuk ekzistonte konflikt interesi.

APK kishte sqaruar se bëhej fjalë për një përgjigje këshilluese dhe kishte kërkuar që situata të analizohej në raport me kufizimet ligjore.

Gjatë raportimit për këtë rast, disa çështje mbetën të pasqaruara.

Nuk është bërë publike nëse Prokuroria kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit që liroi Agim Ademin.

Nuk është sqaruar publikisht arsyeja e plotë e përzgjedhjes së Bajrami-Kastratit për angazhimin në FFK.

Nuk është bërë e ditur nëse Këshilli Prokurorial ka kryer një shqyrtim të plotë të pajtueshmërisë së këtij angazhimi me standardet etike të sistemit prokurorial.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë rast.

Pas publikimeve dhe diskutimeve mbi këtë rast, çështja kaloi në një fazë të re. Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë dokumentacion dhe informacione për angazhimin e Bajrami-Kastratit në Federatën e Futbollit.

Hetuesit pritet të verifikojnë mënyrën e caktimit të saj, pagesat e realizuara dhe respektimin e procedurave.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, as Elza Bajrami-Kastrati dhe as Prokuroria Speciale nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me rastin./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button