Në prag të zgjedhjeve, Qeveria ndan 2 milionë euro për mbështetjen e fluturimeve të mërgatës

Qeveria në detyrë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën janë marrë disa vendime për ndarje buxhetore dhe mbështetje të projekteve ndërkombëtare.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se në prag të zgjedhjeve është ndarë një shumë prej 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me qëllim mbështetjen e linjave ajrore për destinacionet që shërbejnë mërgatën kosovare.

Sipas komunikatës, kjo masë synon forcimin e lidhjeve të diasporës me Kosovën dhe lehtësimin e udhëtimeve të mërgimtarëve.

Po ashtu, Qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për disa subjekte dhe organizata që do të përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare, raporton Spektatori.

Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës janë ndarë 8 mijë euro për pjesëmarrje në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës, që do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shangai të Kinës.

Ndërsa për “Kosova Global Talent Center” janë ndarë 70,876.79 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad në New York, në korrik 2026.

Shoqata e Kimistëve të Kosovës ka përfituar gjithashtu 3,500 euro për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë në Tashkent të Uzbekistanit, nga 10 deri më 19 korrik 2026.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se është aprovuar lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Lexo edhe:

Back to top button