Nagavci për Haradinajn: Absurde të kërkojë mbështetje për president

Lëvizja Vetëvendosje pret që procesi për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës të rezultojë me një kandidat jopartiak dhe konsensual, ndërsa zyrtarja e saj Arbëria Nagavci tha se vendi ka nevojë për figura unifikuese që mund të ushtrojnë detyrën me kompetencë dhe përgjegjësi.

Duke folur para gazetarëve, Nagavci tha se aktualisht nuk po diskutohen emra konkretë, por theksoi se preferenca e partisë është për kandidatë që nuk vijnë drejtpërdrejt nga radhët e partive politike.

“Presim të kemi një kandidat ose kandidate konsensuale, jo partiak, që do ta ushtronte me kompetencë dhe përgjegjësi detyrën e presidentit dhe rolin e tij unifikues”, tha ajo.

Sipas Nagavcit, prioriteti kryesor mbetet shmangia e një krize të re politike dhe funksionalizimi i institucioneve, në mënyrë që të vazhdohet me trajtimin e çështjeve që prekin qytetarët dhe me proceset që presin vendimmarrje.

Ajo tha se Vetëvendosje kishte kërkuar më herët nga partitë e tjera që të propozonin emra për postin e presidentit dhe kishte shprehur gatishmëri për të mbështetur zgjidhje që do të mundësonin konstituimin e institucioneve. Megjithatë, sipas saj, nuk kishte pasur lëvizje të mjaftueshme nga subjektet e tjera politike për të siguruar një marrëveshje.

Nagavci u shpreh optimiste se deputetët do të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe tha se vonesat në zgjidhjen e ngërçit politik mund të ndikojnë në shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projekteve të rëndësishme për vendin.

E pyetur nëse ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të kishte mbështetjen e Vetëvendosjes në rast të një kandidature për president, Nagavci shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por kritikoi politikanët që, sipas saj, kanë bërë deklarata të papërgjegjshme.

“Është pak absurde që një person, cili do qoftë ai, i cili ka folur fjalë të pamatura, tashmë të kërkojë që të marrë mbështetjen”, tha ajo.

Nagavci nuk komentoi emra të veçantë, por përsëriti se Kosova ka mjaftueshëm njerëz me integritet dhe përvojë profesionale që mund të kryejnë me sukses detyrën e presidentit ose presidentes.

“Është kohë që të mendojmë për institucionet, të mendojmë se si dalim nga kjo krizë politike dhe të lëmë anash ambiciet dhe interesat personale”, shtoi ajo.

Lexo edhe:

Back to top button