
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 7,222 eurosh për realizimin e logos së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas të dhënave publike në platformën E-Prokurimi, kontrata është nënshkruar më 17 qershor. Afati i realizimit të saj është 30 ditë, duke filluar nga data e dhënies së kontratës, raporton Spektatori.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 8,000 euro, ndërsa procedura e përdorur ka qenë ajo e kuotimit të çmimeve, ku fitues përzgjidhet operatori me ofertën më të ulët që i plotëson kushtet e kërkuara.
Kontrata është fituar nga grupi i operatorëve ekonomikë “MEGRANT ING” SH.P.K. dhe “Lumjetë Havolli Blakçori B.I.”. Në garë për këtë tender, i hapur më 6 maj, kanë marrë pjesë gjithsej pesë operatorë ekonomikë.
Sipas specifikimeve teknike të tenderit, projekti parasheh realizimin e një embleme monumentale për Ambasadën e Kosovës në Uashington, me diametër rreth 130 centimetra. Emblema do të prodhohet në bronz përmes procesit të modelimit skulpturor dhe derdhjes artistike.
Dokumentacioni i tenderit përcakton se logoja do të jetë e rrumbullakët dhe do të respektojë elementet heraldike të stemës shtetërore të Kosovës, përfshirë mburojën qendrore me hartën e Kosovës, gjashtë yjet karakteristike dhe tekstin e ngritur në rrethin e jashtëm.
Materiali kryesor i përdorur do të jetë bronzi për derdhje artistike, me trajtim patine në ton bronzi të ngrohtë dhe me shtresë mbrojtëse për përdorim afatgjatë në ambient të jashtëm.


Procesi i realizimit përfshin modelimin në shkallë reale, krijimin e kallëpeve speciale, derdhjen e bronzit, përpunimin final të sipërfaqes dhe montimin në mur me sistem të fshehur fiksimi.
Sipas përshkrimit të projektit, emblema synon të përfaqësojë identitetin shtetëror dhe diplomatik të Kosovës, duke kombinuar elementet heraldike me një qasje monumentale dhe materiale të qëndrueshme për përdorim institucional.
Ilir Dugolli është ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2021. Para emërimit në Uashington, ai ka shërbyer në disa misione diplomatike të Kosovës, përfshirë Turqinë dhe Belgjikën./Spektatori.com



