
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vendosur të shkëpusë kontratat e punës për 20 zyrtarë nga komuniteti serb, të cilët, sipas ministrisë, kanë munguar në mënyrë të vazhdueshme në vendin e punës dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre zyrtare.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe pas shqyrtimit të evidencave zyrtare për punonjësit e prekur.
“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-‘Mbrojtjes Civile’”, tha Pacolli në Facebook.
Sipas saj, këta zyrtarë ishin punësuar në ministri më 5 janar 2016, por evidencat zyrtare kanë treguar se ata nuk kanë përmbushur obligimet që burojnë nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesat e vazhdueshme dhe mosrespektimin e detyrave të përcaktuara.
“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se zbatimi i ligjit do të jetë i njëjtë për të gjithë punonjësit e administratës publike, pavarësisht përkatësisë apo pozitës.
“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, deklaroi ministrja.



