Mahmuti: Kush është zëdhënësi i protestave në Tiranë, faqeziu Dritan Goxhaj?

Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, ka kritikuar përdorimin e simbolit të UÇK-së në protestat në Tiranë dhe ka ngritur akuza të forta ndaj figurave të përfshira në organizimin e tyre, përfshirë zëdhënësin e pretenduar të një grupi protestues.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Mahmuti ka vënë në shënjestër Dritan Goxhaj, duke kundërshtuar rolin e tij si zëdhënës i një grupi koordinues protestash në kryeqytetin shqiptar dhe duke e cilësuar këtë zhvillim si të papranueshëm në kontekstin e përdorimit të simbolikës së luftës së Kosovës.

“Kush është zëdhënësi i protestave në Tiranë, faqeziu Dritan Goxhaj?”, shkroi Mahmuti.

Mahmuti pretendon se përfshirja e Goxhajt në këtë rol lidhet me, siç e quan ai, keqpërdorim të figurës së tij dhe të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai i referohet gjithashtu një njoftimi historik të vitit 1999, të nënshkruar nga komandanti Xheladin Gashi (Komandant Plaku), të cilin e përdor për të kundërshtuar narrativat publike mbi rolin e Goxhajt gjatë luftës.

Në reagimin e tij, Mahmuti e konsideron të papërshtatshme që simboli i UÇK-së të shfaqet në protesta aktuale në Shqipëri, duke argumentuar se ai përfaqëson një trashëgimi historike të luftës për çlirimin e Kosovës dhe nuk duhet të përdoret në beteja politike të ditës.

Ai gjithashtu i referohet një incidenti të raportuar në Tiranë, ku gjatë një proteste është hequr flamuri i Izraelit nga ambientet e ambasadës izraelite, duke e lidhur atë me klimën e përgjithshme të protestave dhe organizimin e tyre, sipas tij.

Mahmuti e përshkruan përdorimin e simbolit të UÇK-së në këtë kontekst si një deformim të qëllimshëm të historisë dhe u bën thirrje organizatave të dala nga lufta në Kosovë që të distancohen nga çdo keqpërdorim i tij në skenën politike aktuale në Shqipëri.

“Sa i përket kushteve të pjesëmarrjes së babait të Dritanit (Dilaver Goxhajt) në luftën çlirimtare të Kosovës dhe parave që ka marrë, lexuesi mund të njihet pjesërisht nga shkrimet e publikuara para dy vjetësh. Janë pikërisht lloji i këtyre matrapazëve mercenarë që abuzojnë me logon e UÇK-së në protestat e Tiranës”, shtoi Mahmuti.

Vetëm në ditën e 23-të të protestës, Dritan Goxhaj një nga pjesëmarrësit e saj doli publikisht dhe për herë të parë, artikuloi në emër të të pranishmëve në shesh pesë kërkesa, ku në krye të tyre ishte dorëheqja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Lexo edhe:

Back to top button