Lushtaku i kërkon Kurtit të tërheq “deklaratën shpifëse” dhe të kërkojë falje – ultimatum 24 orë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes avokatit të tij Labinot Vata, i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kërkesë për tërheqjen e deklaratave të bëra publikisht ndaj tij, të cilat i cilëson si shpifëse dhe të dëmshme për reputacionin e tij.

Reagimi vjen pas një deklarate të Kurtit dhënë mbrëmë në KTV, ku ai ka thënë se gjatë janarit 2025 në Skenderaj, Lushtaku kishte pasur për qëllim të godiste autokolonën e tij .

Sipas avokatit Vata, këto pretendime nuk mbështeten në asnjë vendim gjyqësor apo provë të konfirmuar dhe, sipas tij, dëmtojnë rëndë figurën publike dhe politike të Sami Lushtakut, duke e paraqitur atë në mënyrë të padrejtë si të përfshirë në veprime të rrezikshme apo kundërligjore.

Në kërkesën zyrtare drejtuar Kurtit, theksohet se deklaratat e përdorura nga ai, si ato për “ndërprerje të dhunshme të qarkullimit” apo “tentim për rrezik”, krijojnë perceptim negativ në opinion dhe përbëjnë, sipas palës së Lushtakut, shpifje dhe cenim të imazhit të tij.

Avokati po ashtu vlerëson se pesha e këtyre deklarimeve është më e madhe për shkak se janë bërë nga një kryeministër në detyrë dhe janë transmetuar në një medium me shikueshmëri të lartë.

Duke u bazuar në Ligjin për Shpifjen dhe Fyerjen, pala e Lushtakut i kërkon Kurtit që brenda 24 orëve të tërheqë deklaratat, të publikojë sqarim dhe korrigjim publik, si dhe të kërkojë falje ndaj Sami Lushtakut. Po ashtu kërkohet që të mos bëhen më deklarata të ngjashme që, sipas tyre, dëmtojnë integritetin e tij.

“Në rast se nuk ndërmerren veprimet e kërkuara brenda afatit të arsyeshëm ligjor, z. Sami Lushtaku rezervon të drejtën për inicimin e procedurave civile për kompensimin e dëmit moral dhe reputacional, si dhe ndërmarrjen e të gjitha mjeteve juridike të parapara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në letër.

 

Lexo edhe:

Back to top button