
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave që i ka cilësuar si të pavërteta dhe tendencioze ndaj tij.
Përmes një statusi në Facebook, Lushtaku tha se padia është dorëzuar përmes avokatit të tij dhe se nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, që emri, kontributi dhe dinjiteti i tij të përdoren për “propagandë politike, mashtrime publike e shpifje të ulëta”.
Ai theksoi se ky veprim është përgjigje ndaj çdo tentative për “linçim politik”, duke paralajmëruar se secili që, sipas tij, shpif dhe manipulon me të pavërteta, do të përballet me përgjegjësi para ligjit.
“Nuk do të lejoj që emri im, kontributi im dhe dinjiteti im të përdoren për propagandë politike, mashtrime publike e shpifje të ulëta”, shkroi ai.
“Kjo është një përgjigje e qartë për çdo tentativë linçimi politik. Çdokush që shpif e manipulon me të pavërteta, do të përballet me të njëjtin veprim dhe me përgjegjësi para ligjit.”



