
Një protestë paqësore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë, do të organizohet më 15 korrik në Kroaci.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë një konference për media, ku njoftoi se tubimi do të nisë në orën 18:00.
Sipas Gucatit, protesta synon të përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke shprehur njëherësh pritjen që ata të rikthehen së shpejti në Kosovë.
“Do të jetë një protestë paqësore, me mesazhin që shpresojmë se krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë”, deklaroi Gucati.
Ai shtoi se organizatorët besojnë se kjo mund të jetë protesta e fundit në mbështetje të tyre para përfundimit të procesit dhe kthimit të ish-krerëve të UÇK-së në vend.
Protesta në Kroaci vjen në vazhdën e një sërë organizimesh të ngjashme që janë mbajtur gjatë viteve të fundit në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe kanë shprehur kundërshtimin ndaj procesit që zhvillohet në Hagë.



