
Berat Rukiqi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se partia e tij i konsideron si “vija të kuqe” si çështjen e Listës Serbe, ashtu edhe pranimin e gazit amerikan në çdo marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
I ftuar në Klan Kosova, Rukiqi tha se këto qëndrime janë pjesë e pozicionit zyrtar të LDK-së në procesin e negociatave për krijimin e institucioneve.
“Ne e kemi si pozicion zyrtar dhe politik… vija të kuqe qysh kemi për Listën Serbe në një anë, në anën tjetër vijë e kuqe është çështja e gazit”, deklaroi ai, transmeton Spektatori.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 42.96 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvendin prej 120 deputetësh. Ky përfaqëson një rënie në krahasim me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e kryeministrit Albin Kurti kishte fituar 57 mandate.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21.13 për qind të votave, duke siguruar 22 deputetë në legjislaturën e 11-të, një rezultat i njëjtë me atë të legjislaturës paraprake.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) del forca e tretë me 17.60 për qind të votave, që i përkthehet në 18 ulëse në Kuvend, nga 15 sa kishte në zgjedhjet e dhjetorit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila së fundi ka ndryshuar emërtimin në “Aleanca”, ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, një më shumë se në zgjedhjet e mëparshme.



