LDK-ja e gatshme për bashkëpunim me LVV-në, Haziri: Marrëveshja të jetë gjithëpërfshirëse

LDK-ja ka shprehur gatishmëri për një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, e ka përshkruar si një “paketë” gjithëpërfshirëse që do të përfshinte zgjidhjen e të gjitha çështjeve institucionale dhe ndarjen e posteve kryesore në vend.

Në një intervistë dhënë mbrëmë në emisionin “Pressing” në T7, Haziri tha se vendi nuk mund të vazhdojë me kriza të përsëritura politike dhe se partitë duhet të arrijnë një marrëveshje të përbashkët për funksionimin normal të institucioneve, shkruan Spektatori.

“Jemi të interesuar ta largojmë lodhjen nga qytetari”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për stabilitet politik dhe bashkëpunim ndërpartiak.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, dhe jo e ndarë në hapa apo variante të ndryshme politike.

“Partitë politike duhet të bashkëpunojnë në një marrëveshje politike pako”, tha Haziri, duke shtuar se ajo nuk duhet të jetë “e shkallëzuar” apo me “modele të tjera të pjesshme”.

Ai theksoi se parimi kryesor i një marrëveshjeje të tillë është gjithëpërfshirja institucionale.

“Parimi i parë është: marrëveshja duhet me qenë gjithpërfshirëse. Nuk mundet me qenë selektive, e ndarë”, u shpreh ai.

Duke folur për ndarjen e përgjegjësive, Haziri tha se për LDK-në nuk është çështje vendimtare ndarja e posteve, por formalizimi i bashkëpunimit politik.

“Për ne ka rëndësi që bashkëpunimi të normohet në këtë vend”, tha ai.

Ai shtoi se LDK-ja ka kapacitete për të marrë përgjegjësi në fusha të ndryshme të qeverisjes, duke përfshirë edhe pozita të larta shtetërore.

Në lidhje me rezultatin zgjedhor, Haziri tha se ai duhet të lexohet drejt nga të gjitha partitë politike dhe të shërbejë si bazë për bashkëpunim.

“Për LDK-në është shumë i rëndësishëm që leximi i drejtë i këtij rezultati të bëhet nga të gjitha partitë politike”, theksoi ai.

Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, institucionet mund të formohen sipas rezultatit zgjedhor, raporton Spektatori.

“Nëse nuk ka marrëveshje, konstituimi i Kuvendit mund të bëhet sipas rezultatit zgjedhor”, tha Haziri, duke kujtuar se grupi më i madh parlamentar ka të drejtën e propozimit për kryeparlamentarin.

Duke folur për çështjen e presidentit, ai tha se ajo duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike.

“Presidenti duhet të zgjidhet në bazë të një marrëveshjeje”, u shpreh Haziri, duke shtuar se kjo është e domosdoshme për stabilitetin institucional.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga një marrëveshje e tillë do ta rikthente vendin në krizë.

“Çdo dalje nga një marrëveshje jashtë pakos është reciklim i krizës dhe Kuvendin e çon drejt një dështimi të ri”, tha ai.

Haziri mohoi se LDK-ja ka probleme me emra të caktuar në proceset politike, duke përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani.

“Nuk e kemi, as nuk e kemi asnjë problem me ndonjë emër të përveçëm”, tha ai, duke shtuar se Osmani nuk paraqet pengesë në arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ju siguroj edhe sot që vetë ajo e ka konfirmuar që nuk është asnjëherë emri i saj problem në arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, shtoi Haziri.

Në fund, ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe normalitet institucional përmes bashkëpunimit ndërpartiak./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button