
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një adresimi në rrjetin e tij social Facebook, Kurti tha se fitorja e LVV-së është rezultat i mbështetjes së qytetarëve brenda vendit dhe në mërgatë, si dhe i angazhimit të mijëra vullnetarëve, anëtarëve dhe aktivistëve të partisë.
Ai vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, pasi sipas tij, rezultati nuk ka pësuar ndryshime të mëdha.
“Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai tha se tashmë pret certifikimin e rezultateve zgjedhore, në mënyrë që të nisë procesi i formimit të institucioneve të reja.
Sipas Kurtit, qëllimi është vazhdimi i punëve dhe projekteve zhvillimore të nisura gjatë mandatit të kaluar.



