
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është diskutuar për raportet mes dy subjekteve politike dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
Duke folur për pozitën e presidentit, Kurti ka thënë se kjo figurë duhet të jetë mbi ndarjet partiake dhe të përfaqësojë unitetin e qytetarëve, pa u përfshirë në debatet e përditshme politike.
“Presidenti i Kosovës, si shprehje e unitetit të popullit, duhet të jetë një figurë që ngroh zemrat e qytetarëve të Republikës, me merita dhe vlera. Duhet të jetë një personalitet i mirëpritur nga popullsia dhe të mos paraqesë polin e katërt të pushtetit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se presidenti duhet të jetë jashtë partive politike dhe të ketë rol përfaqësues të Republikës.
“Do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe të mos ishte i përfshirë në polemika ditore. Sa i përket pozitës së presidentit, ai nuk duhet të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës”, ka thënë Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes ka theksuar se partia e tij është e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për zhvillim më të shpejtë.
“Jemi të interesuar të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar”, ka deklaruar ai.
Sa i përket emrit të presidentit të ardhshëm, Kurti ka thënë se nuk mund të propozojë një kandidat konkret, pasi sipas tij duhet të jetë rezultat i një dakordimi më të gjerë politik.
“Nuk mund të sjell emër konkret, sepse emri do të duhej të ishte konsensual dhe jo domosdoshmërisht i Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur se Vetëvendosje më herët ka propozuar emrat e Glauk Konjufcës, Fatmir Kollçakut dhe Feride Rushitit, por sipas tij këto propozime nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme.
“Jemi të interesuar ta kemi dikë gjithëpërfshirës, sepse nuk duam të sjellim emra që nuk zgjidhen dhe që nuk e kanë mbështetjen e domosdoshme”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se në takimin me LDK-në nuk është diskutuar për emra konkretë të presidentit, por për hapat e ardhshëm në bashkëpunimin mes dy subjekteve.
“Nuk kemi folur për emra të presidentit. Kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Vetëvendosjes me LDK-në. Nuk është e lehtë që për këto pak ditë, madje pak orë para fillimit të seancës konstituive, t’i tejkalojmë të gjitha. Po punojmë maksimalisht”, ka thënë Kurti.



