
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të shtunën se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mund të përmbyllet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, duke u bërë thirrje partive politike të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Kurti tha se posti i nënkryetarëve duhet të ndahet mes partive kryesore parlamentare dhe komuniteteve, sipas përbërjes që ai përshkroi.
“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës konstituive, e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarë. Aty do ta ketë një nënkryetar Lëvizja Vetëvendosje, një PDK, një LDK, një do të jetë i pakicave joserbe dhe një i pakicës serbe”, tha Kurti.
Sipas tij, me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit përfundojnë edhe detyrat e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.
Në një kohë kur partitë parlamentare nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zhbllokimin e procesit, Kurti tha se çështjet e tjera janë dytësore në raport me nevojën për dialog politik.
“Për mua, të gjitha çështjet janë të dorës së dytë ose të tretë, krahasuar me marrëveshjen që na duhet. Prandaj, edhe nëse bëhen aksione të tilla kundrejt meje, unë nuk jam këtu për veten time. Unë jam këtu për Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kurti u bëri thirrje partive politike që të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje.
“Dhe kërkoj që edhe të tjerët të ulemi bashkë dhe për Republikën e Kosovës të bëjmë marrëveshje”, tha ai.
Duke komentuar incidentin gjatë seancës, ku ndaj tij u hodhën vezë nga deputetja e opozitës Time Kadrijaj, Kurti tha se është i gatshëm ta përballojë edhe këtë, nëse dialogu politik mund të rifillojë.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputet është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të bisedojnë bashkë e të dialogojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim”, tha Kurti.
Ai tha se shqetësimi i tij kryesor nuk është incidenti, por mungesa e vullnetit për takim mes subjekteve politike.
“Vetëm le të vijnë në takim. Vetëm le të ulemi e le të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, përfundoi Kurti.



