Kurti: Pas certifikimit, nisim diskutimet për Kuvendin, qeverinë dhe presidentin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të nisin diskutimet për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe të përkthehet në institucione funksionale.

Duke folur në fillim të mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se proceset institucionale do të nisin menjëherë pas përfundimit formal të zgjedhjeve.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha Kurti.

Ai shtoi se, sipas tij, zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë të domosdoshme, por se rezultati i tyre duhet pranuar.

“Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike”, tha ai.

Kurti tha se prioritetet e institucioneve të reja duhet të jenë zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike, duke përmendur sektorë si arsimi, shëndetësia, siguria dhe investimet infrastrukturore.

Ai tha se këto procese duhet të çojnë në institucione “të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie”, përfshirë projekte në transport, energji dhe infrastrukturë.

Lexo edhe:

Back to top button