
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se është i gatshëm të takohet me të dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Gjini ka deklaruar se nuk sheh arsye për një takim me Kurtin, duke thënë se kryeministri në detyrë duhet të mbajë përgjegjësi për situatën në vend.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai ka kritikuar Kurtin për qeverisjen e tij dhe ka refuzuar thirrjen për takim.
“Mos insisto me u taku me mua, sepse nuk ke për çka me u taku me mua. Ti që e ke pru Kosovën në ditën që duhet me ble gurë prej Serbisë”, ka deklaruar Gjini.
Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se mbetet i gatshëm për takime me liderët e partive të tjera, duke përfshirë Gjinin dhe Hamzën.
“Në cilëndo kohë që ata e zgjedhin, jam i gatshëm të takohem me kryetarin e AAK-së dhe PDK-së”, kishte deklaruar Kurti.



