
Takimi rreth tri orësh mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa marrëveshje politike, por me dakordim për të vazhduar komunikimin në ditët në vijim, raporton Spektatori.
Pas takimit, të dy liderët dhanë sinjale për gatishmëri për bashkëpunim, duke theksuar se bisedimet janë fokusuar në mundësitë përpara, balancën institucionale dhe parimet e një marrëveshjeje të mundshme.
Kurti tha se takimi me Abdixhikun ishte një zhvillim pozitiv dhe se ekziston vullnet për të punuar bashkë.
“Ka shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo është optimiste për të dy subjektet tona, një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe qytetarët në përgjithësi”, deklaroi Kurti.
Megjithatë, ai bëri të qartë se ende nuk ka marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.
“Lajm do të ishte sikur të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi”, tha Kurti, duke shtuar se palët kanë diskutuar për qasjet dhe mundësitë që kanë përpara.
Kurti foli edhe për pozitën e presidentit, duke thënë se nuk është diskutuar për emra konkretë me LDK-në dhe se kandidati duhet të jetë rezultat i një konsensusi më të gjerë.
“Nuk kemi folur për emra të presidentit. Kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e Vetëvendosjes me LDK-në”, tha ai.
Sipas Kurtit, presidenti duhet të jetë figurë mbi ndarjet partiake dhe jo pjesë e polemikave të përditshme politike.
“Presidenti i Kosovës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit, një figurë që ngroh zemrat e qytetarëve dhe të mos paraqesë polin e katërt të pushtetit”, deklaroi ai.
Kurti tha se Vetëvendosje synon një kandidat gjithëpërfshirës dhe jo një emër që nuk ka mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur.
Në anën tjetër, Abdixhiku e cilësoi takimin si “të mirë dhe të mbarë”, duke thënë se LDK-ja hyri në diskutime me vullnet të mirë dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Morëm pjesë në takim me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku të ketë balancë demokratike dhe përfaqësim institucional.
“LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërtën konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, deklaroi Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se LDK-ja nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si ceremonial.
“LDK-ja s’e ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, është post ceremonial”, tha Abdixhiku.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi kryetari i LDK-së.
Ndërkohë, Kurti tha se mbetet i gatshëm për takime edhe me partitë e tjera, duke përmendur kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, dhe atë të PDK-së, Bedri Hamza.
“Jam i gatshëm të takohem me kryetarët e AAK-së dhe PDK-së, në cilëndo kohë që ata e zgjedhin”, tha Kurti.
Takimi Kurti–Abdixhiku kështu përfundoi pa një marrëveshje konkrete, por me vazhdim të negociatave, ndërsa afati kohor për konstituimin e institucioneve po afrohet dhe skenari i zgjedhjeve të reja mbetet një mundësi nëse palët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët./Spektatori.com



